EKSKLUZIVE/ Partizani, apeli i Kërnajës: Duhen përforcime në sulm! Garsia? Luan kush na shërben (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2025 | 15:02

EKSKLUZIVE/ Partizani, apeli i Kërnajës: Duhen përforcime në sulm! Garsia? Luan kush na shërben (E PLOTË)

Oltijon Kërnaja e ka javën ku mbyll dy muaj në krye të ekipit të parë të Partizanit. “Panorama Sport” ka siguruar një intervistë ekskluzive, përpara ndeshjeve delikate me Bylisin dhe Tiranën.

kernaja

Trajneri i Partizanit tregohet optimist, ndërsa flet edhe për Partizanin B. Kërnaja tregon se nevoja e Partizanit është që të përforcohet në sulm. Për Xhudah Garsian, që në dy javët e fundit qëndroi në tribunë, u shpreh se nuk është çështje. U ndal tek ekipi B ndërkohë, duke konfirmuar se Realf Zhivanaj është trajner i parë dhe pse vetë do e ndihmojë kur të jetë mundësia. Kërnaja tregon se Da Silva, Skuka dhe Sembene akoma nuk janë gati fizikisht për të kontribuar plotësisht tek ekipi i parë.

Si ndiheni pas dy muajve në krye të Partizanit dhe cili është ndryshimi më i madh nga dita e parë?

Ndihem shumë mirë. Ndihem sikur kam disa vite, jo vetëm dy muaj këtu. Rreth katër muaj bashkë me ardhjen time te Partizani B. Ndihem jashtëzakonisht shumë mirë, ngrohtë, i mikpritur nga të gjithë dhe po bëjmë punën që duhet të bëjmë. Ndryshimi më i madh të them të drejtën është tek unë, ambientimi im me Superioren se hera e parë si trajner. Gjatë gjithë kohës kam qenë trajner i parë në Kategorinë e Parë dhe Dytë, dhe asistent në Superiore si te Kukësi dhe Laçi. Më shumë ka qenë ambientimi im dhe mënyra ime për të shprehur atë që dua me djemtë në fushën e lojës. Është përthithur shumë mirë nga djemtë dhe jam i kënaqur.

Çfarë profili po përpiqeni t’i jepni Partizanit dhe cilat janë vështirësitë?

Vështirësitë e ekipit tonë dihen, janë mungesat e shumta dhe të gjata të disa lojtarëve bazë. Të cilët në fillim kur është ndërtuar ekipi, para ndeshjeve në Europë, kanë qenë lojtarët bazë mbi të cilët është ndërtuar ekipi. Si Sembene, Skuka, Preka, etj. Këto kanë qenë problemet më madhore. Pjesa tjetër ka ardhur në rritje. Loja, agresiviteti dhe dëshira e djemve për të bërë mirë. Ka ardhur çdo ndeshje edhe më shumë në rritje, duke zbatuar detyrat ashtu siç i kemi kërkuar. Profili që duhet vjen nga emri i Partizanit, që ka qenë gjithë historinë e tij agresiv. Ekip që ka luftuar për çdo top, vetë emri i Partizanit. I përshëndes edhe “Guerrils”, të jesh guerrils do të thotë të jesh luftëtar. Edhe lojtari duhet të jetë luftëtar në fushë, të luftojë për çdo top në çdo centimetër.

Merkato po afron, ku mendoni se ekipi ka nevojë për t’u përforcuar?

Besoj, varet çfarë na lë tregu. Merkato e janarit është shumë e varfër. Mund të ketë lojtarë që nuk kanë luajtur, pra pa minuta ose vijnë pas dëmtimeve. Për këtë varet nga tregu. Merkato jonë është parimore, rikthimi i lojtarëve tonë nga dëmtimet. Shpresoj të rikthehen sa më shpejt, do jenë si blerje të reja për ekipin. Pikat kryesore që mund të ketë Partizani për të ndërhyrë në merkato, mund të jetë një sulmues anësor dhe qendre që të njohë portën. Pra do të duhen përforcime për të ndihmuar repartin e avancuar, por jo se Partizani nuk i ka lojtarët për të bërë mirë.

Sfidat me rivalët për mbijetesë, Bylis, Tirana dhe Flamurtari. A keni filluar të mendoni që tani për derbin?

Sigurisht që nuk po mendojmë për derbin. Ne mendojmë për ditën e mërkurë, me Bylisin. Një rival shumë i fortë. E kam theksuar që diferencat në Superiore janë shumë të vogla. Janë momentet që bëjnë ndryshimin. Po ta shikoni edhe në javën e kaluar, ekipet e kreut nuk morën fitore me ekipet e renditura më poshtë. Ndoshta Bylisi dhe ne, meritonim fitoret në ndeshjet me Dinamon dhe Elbasanin. Do të thotë se diferencat janë atyaty. Bylisi është ekip i rrezikshëm, e kemi me atë të mërkurën dhe më pas do mendojmë për ndeshjet e tjera.

Rreshtimi i Partizanit ka ndryshuar disa herë. A keni një të preferuar?

Këto janë gjëra taktike, që i punojmë me stafin. Mënyra si rreshtohemi dhe luajmë, është duke parë ekipin kundërshtar. Duke parë fushën ku luajmë, ambientet dhe duke tentuar të kapim pikat e tyre të dobëta. Për këtë mundohemi të rreshtohemi në mënyrë të ndryshme gjatë çdo ndeshje, në varësi të ekipit kundërshtar.

Ku e shikoni problematikën e Partizanit, që mbetet 1 pikë larg zonës së ftohtë?

Pikët aty-aty janë. Zona e ftohtë nuk ka shumë diferencë të madhe. Me të vërtetë jemi 7 pikë nga vendi fundit, por edhe aq pikë diferencë nga vendi i katërt. Diferencat janë po të njëjta, me dy fitore mund të ngjitesh dhe po aq humbje të shkosh në fund. Po të shikojmë zonën Final Four, Dinamo fillimisht ishte e pozicionuar mirë, ndërsa sot është në vendin e pestë. Është kampionat shumë i ngjeshur dhe aty janë pikët

A ka një çështje me Xhudah Garsian te Partizani?

Nuk ka asnjë çështje. Jo me Garsian, por me asnjë lojtar te Partizani. Luajnë ose janë pjesë e gatshme, ato që mendojmë ne se do na shërbejnë ndaj kundërshtarit. Po ta shohim, Jata kishte disa muaj që nuk luante te Partizani. Ndeshjen me Elbasanin u aktivizua për të na dhënë një ndihmë me shtatlartësinë e tij. Po ashtu më përpara edhe Shanaj, që nuk është aktivizuar, dy ndeshjet e fundit para kësaj u aktivizua edhe ai. Te ne nuk ka asnjë çështje. E kemi thënë që në fillim, janë rreth 40 futbollistë. Gjithsecili do marrë minutat, atëherë kur është e nevojshme, që është maksimumi. Dhe që na shërben neve, për të na dhënë një dorë kur e kërkojmë.

Të dielën ishit sërish në krye të ekipit B. Pse erdhi ky vendim, pasi thatë se Realf Zhivanaj drejton në vazhdim?

Realfi është trajneri i ekipit B. Duke qenë se ishte ndeshje deçizive, zbrita poshtë që të ndihmoja. Siç bën Realfi tek ekipi A, jam i gatshëm ta ndihmoj te B sepse jemi një grup. Bashkë me Realfin, Kushtrimin dhe Orin jemi një i vetëm, nuk është se i ndajmë shumë pozicionet të themi të drejtën. Të gjithë japin mendimet dhe kjo ishte për ndihmë të ekipit, të fanellës kuqe më shumë. Nuk do të jetë çudi nëse më shikoni sërish tek ekipi B. Jam këtu gjatë gjithë ditës. Rri shikoj B-në, U-19, U-17. Tashmë po shikoj stërvitjet e ekipit U-13 dhe U-14. Jam gjithë ditës në punë dhe i përkushtuar që të shikoj të gjitha ekipet.

Çfarë nuk shkoi ndaj Orikut kryesues ku u pësua humbja e parë e sezonit?

Ekipi luajti mirë, pësuam dy gola aksidentalë nëse mund ta quaj. Kemi luajtur më shumë se 25 minuta me 8 futbollistë dhe portierin. Gjë që nuk ndodh shumë shpesh. Ne kishim rastet tona për të shënuar. Rasti me Gogën dhe dy penallti të dyshimta. Ja që ndodh, gjithsesi kampionati është i gjatë dhe jemi aty, pretendentët kryesorë. Ndonjëherë mund të bëjmë gabime, por siç erdhi Oriku dhe fitoi këtu ndoshta edhe padrejtësisht, ne mund të shkojmë të fitojmë në Orik.

Da Silva, Skuka dhe Sembene u panë me ekipin B. Si iu duket rikthimi i tyre?

Ata duhet të marrin veten nga ana fizike, për këtë arsye u aktivizuan me ekipin B të tre. Duke parë që janë mbi 3- 4 javë pushim. Normalisht, gjendja e tyre fizike nuk është e duhur. Shfrytëzuam pak minutat me ekipin B, që të shikonim pak progresin e tyre. Sembene luajti gjithë ndeshjen. Skuka luajti 60 minuta, pak më pak Da Silva. Po marrin veten.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL