EKSKLUZIVE/ “Ndeshjet duhen vlerësuar një nga një”, Dosti: Elbasani nuk e diskuton “Final 4”, Partizani kërkon respekt
Ecuria e deritanishme e Elbasanit ka rikthyer entuziazmin në qytet, por edhe përgjegjësinë për të qëndruar në rrugën e rezultateve pozitive.
Në prag të sfidës me Partizanin, një duel që vjen në një moment delikat të kampionatit, ish-portieri dhe trajneri i mirënjohur i klubit, Muharrem Dosti, vlerëson qetësisht situatën, duke e cilësuar përballjen si një ndeshje “të radhës”, por me rëndësinë që kërkon respekti ndaj çdo kundërshtari.
Sipas tij, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ky Elbasan është më i pjekur se një vit më parë, më i harmonizuar dhe me një kolektivitet që po i jep identitet skuadrës. Dosti thekson se shpirtit të garës dhe ndërthurjes së reparteve po u shkojnë pas edhe rezultatet, ndërsa ndeshja e fundit ndaj Dinamos shërbeu si provë karakteri dhe tregoi se ekipi di të reagojë në momente presioni.
Sa i përket objektivave, ish-trajneri është i bindur se vendi në “Final 4” nuk duhet të vihet në diskutim, por paralajmëron se rruga e gjatë kërkon vlerësim maksimal të çdo ndeshjeje. Për Dostin, arma kryesore e Elbasanit mbetet grupi dhe puna e kryer për të krijuar një skuadër të ekuilibruar, e cila, siç thotë ai, mund të synojë edhe më lart, por vetëm duke ecur me këmbë në tokë.
Dosti, si e shihni sfidën e radhës me Partizanin?
Ndeshjen me Partizanin e shoh si një ndeshje të radhës. Me momentin që po kalon dhe gjendjen aktuale të skuadrës, Elbasani do të hyjë në fushë për të marrë tri pikët. Mendoj se ekipi do ta vlerësojë maksimalisht takimin, sepse pavarësisht pozitave që mban Partizani në klasifikim, mbetet një emër që kërkon respekt dhe seriozitet të plotë.
Çfarë e karakterizon më shumë këtë Elbasan në krahasim me sezonin e kaluar?
Ka një kolektivitet të dukshëm këtë vit. Ekipi është harmonizuar dhe repartet po lidhen shumë më mirë me njëri-tjetrin. Kjo është ajo që na ka karakterizuar gjithmonë si Elbasan: shpirti i garës dhe bashkimi brenda grupit. Natyrisht, skuadra është më e pjekur dhe më me eksperiencë se një vit më parë dhe ajo që ka prodhuar deri tani e justifikon plotësisht pozicionin që ka.
Objektivi “Final 4” është i arritshëm për ju?
Me atë që ka treguar skuadra deri tani, kam bindjen se “Final 4” nuk do të vihet në diskutim. Madje, ndoshta duhet menduar edhe për më lart. Por, për këtë duhet të presim fundin e kampionatit. Duhet të ecet me kujdes dhe pa e humbur qetësinë.
Cila duhet të jetë filozofia për ndeshjet e mbetura?
Ndeshjet duhet parë një nga një. Nëse ekipi vazhdon t’i vlerësojë maksimalisht, siç ka bërë deri më tani, mund të shkojë shumë larg. Edhe ndeshja e fundit me Dinamon ishte një impuls i rëndësishëm: pavarësisht barazimit, tregoi se jemi ekip me karakter dhe taktikisht luajtëm mirë. Po ta kishim shfrytëzuar rastin e Diallos, mund të kishim marrë edhe fitoren. Por, futbolli kështu e ka dhe nuk është fundi i botës.
Cila është arma më e fortë e Elbasanit këtë sezon?
Arma më e fortë është kolektiviteti. Trajneri ka bërë shumë mirë punën e tij duke i bërë repartet harmonike dhe duke krijuar një skuadër të balancuar. Mbi të gjitha, shoh një shpirt gare të jashtëzakonshëm këtë vit dhe kjo është ajo që e dallon Elbasanin aktual.
Një mesazh për tifozët verdheblu?
Tifozët duhet të vazhdojnë të besojnë dhe të jenë pranë skuadrës si gjithmonë. Ky grup e meriton mbështetjen dhe po tregon se ka potencial për të synuar edhe më lart. Me qetësi, punë dhe harmoni, ky sezon mund të jetë një ndër më të mirët e viteve të fundit.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













