EKSKLUZIVE/ Ish-trajneri paralajmëron shkodranët: Elbasani gati për tri pikët ndaj Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2025 | 14:28

EKSKLUZIVE/ Ish-trajneri paralajmëron shkodranët: Elbasani gati për tri pikët ndaj Vllaznisë

Në një kampionat të ngjeshur dhe të paparashikueshëm, ku diferencat janë minimale dhe ritmi i ekipeve ndryshon nga java në javë, Elbasani ka arritur të ruajë stabilitet dhe të qëndrojë vazhdimisht në majën e tabelës. Verdheblutë kanë qenë gjatë gjithë kohës brenda zonës së kreut, duke treguar se ndërtimi i skuadrës, filozofia e lojës dhe fryma e brendshme janë elemente të konsoliduara.

anxhelo suta terbuni

Ish-trajneri i Elbasanit, Anxhelo Suta, jep një analizë të qetë dhe realiste për Panorama Sport mbi ecurinë e sezonit. Ai nuk ngurron të vlerësojë punën e trajnerit Gvozdenoviç dhe të drejtorit Guranjaku, të cilët sipas tij kanë meritën kryesore në këtë projekt. Suta thekson se skuadra ka pjekurinë e duhur për të synuar “Final 4”, ndërsa për ndeshjen e radhës ndaj Vllaznisë shprehet optimist se Elbasani ka gjithçka për të marrë një rezultat pozitiv, madje edhe fitoren.

Si e vlerësoni ecurinë e Elbasanit deri në këtë fazë të sezonit? Elbasani është brenda objektivave dhe kjo ka rëndësi në këtë fazë të sezonit. Që nga starti i kampionatit e deri tani, skuadra nuk ka qenë asnjëherë larg kreut. Edhe kur nuk ka qenë e para, ka qenë vetëm një hap larg. Kjo tregon që grupi ka vazhdimësi dhe nuk ka rënie. Për mua është një sezon i mirë deri në këtë pikë.

Një koment rreth punës së stafit deri më tani? Meritat janë të qarta. Drejtori Elton Guranjaku ka bërë një punë shumë të mirë në përzgjedhjen e lojtarëve, duke ndërtuar një skuadër me ekuilibër dhe cilësi. Nga ana tjetër, trajneri Gvozdenoviç ka ditur ta kompozojë ekipin dhe ta stabilizojë. Është dyshja që për mua po funksionon deri më tani.

Trajneri Gvozdenoviç ka pranuar momente presioni, madje ka deklaruar se ka menduar dorëheqjen në fazën e parë. A e shihni si sinjal të keq? Përkundrazi, e shoh si shenjë karakteri. Trajneri që pranon publikisht presionin dhe ngarkesën tregon se është i ndershëm me veten dhe me grupin. Që ekipi u ngrit dhe reagoi pas atyre momenteve tregon se ka lidhje të fortë mes stafit dhe lojtarëve.

Disa barazime radhazi kanë hapur diskutime. A janë shqetësuese? Jo, aspak. Kampionati këtë vit është shumë i vështirë për të gjithë. Të gjitha ekipet po hasin vështirësi dhe po barazojnë. Barazimi nuk është fundi i botës. Ajo që ka rëndësi është që Elbasani reagon, nuk bie psikologjikisht dhe qëndron aty. Kjo është më e rëndësishme se një fitore e rastësishme.

A e shihni Elbasanin në “Final 4”? Po, e shoh absolutisht pjesë të “Final 4”. Nuk është rrugë e lehtë, por skuadra ka pjekurinë, ekuilibrin dhe seriozitetin për t’u kualifikuar. Në sezon të gjatë ka ulje-ngritje, por ekipi ka treguar se di ta ruajë ritmin.

Vjen ndeshja me Vllazninë. Sa rëndësi ka kjo për verdheblutë dhe si mund të dalë? Nuk është finale, nuk duhet bërë presion i panevojshëm. Ka shumë javë përpara. Një ndeshje as nuk të shpall kampion, as nuk të nxjerr nga gara. Por… është një ndeshje e rëndësishme për vazhdimësinë dhe moralin. Unë kam besim se Elbasani mund të marrë rezultat pozitiv dhe pse jo, edhe fitoren. Skuadra është e qëndrueshme, është e organizuar dhe kur hyn në fushë me qetësi, di të bëjë diferencën.

Cili është mesazhi juaj për grupin? Të mos ngarkohen dhe të luajnë me qetësi. Ky kampionat kërkon gjakftohtësi. Të jenë aty pranë kreut deri në javët e fundit dhe pastaj çdo gjë është e mundur. Elbasani e ka potencialin për të shkuar larg, mjafton të ruajë stabilitetin që ka treguar.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL