EKSKLUZIVE/ Gvozdenoviç: Statistikat nuk vlejnë, më interesojnë vetëm pikët kundër Vllaznisë
Trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç, ka folur për “Panorama Sport” në prag të sfidës me Vllazninë, një prej dueleve më interesante të javës së pestë.
Ai e konsideron ndeshjen si një përballje të fortë, ndaj një kundërshtari që ka treguar vazhdimësi dhe cilësi në këtë fillim kampionati, por thekson se verdheblutë janë të përgatitur për të hyrë në fushë me vendosmërinë për të dhënë maksimumin. Tekniku serb shprehet se klasifikimi aktual nuk ka shumë rëndësi, duke qenë se kampionati është ende në fazat e para.
Për të, çdo javë është një sfidë më vete dhe çdo skuadër meriton respekt të plotë, pavarësisht se ku ndodhet në tabelë. Edhe pse ka disa lojtarë në dyshim për shkak dëmtimesh, Gvozdenoviç e bën të qartë se nuk ka vend për justifikime. Ai beson se grupi ka forca dhe cilësi të mjaftueshme për të përballuar mungesat, ndërsa rruga e vetme përpara është të mendohet ndeshje pas ndeshjeje dhe të synohen pikët në çdo përballje.
Mister, si e shihni përballjen e radhës me Vllazninë?
Ne jemi gati për këtë ndeshje, përballë një skuadre të fortë dhe shumë të mirë. Me Vllazninë gjithmonë dalin ndeshje të bukura dhe interesante, ndaj edhe këtë herë pres një sfidë të tillë. E respektojmë shumë Vllazninë, për historinë që ka dhe për atë që po bën këtë sezon.
A keni probleme me dëmtimet në skuadër?
Po, ka disa lojtarë në dyshim dhe duhet të shohim seancën e fundit para ndeshjes për të marrë një vendim. Megjithatë, gjendja është e mirë dhe kjo ka rëndësi. Nuk mund të bëjmë alibi për mungesa apo arsye të tjera, janë pjesë të futbollit dhe unë kam në dispozicion lojtarët e nevojshëm për të përballuar edhe ndonjë mungesë.
Luani me ndjekësit më të afërt, si e prisni?
Sinqerisht, unë nuk shoh aspak klasifikimin tani. Është vetëm java e pestë dhe në këtë fazë nuk ka rëndësi pozicioni. Çdo skuadër meriton respekt dhe çdo ndeshje është e fortë. Ne e shohim gjithçka javë pas jave dhe tani kundërshtari i radhës është Vllaznia dhe nuk ndryshon asgjë fakti që është në vend të dytë apo në vend të fundit. Ne i respektojmë të gjitha njëlloj, kjo nuk ka dyshime.
Do t’ju kënaqte një barazim në Shkodër?
Këto gjëra thuhen vetëm pas ndeshjes, duke parë si ka shkuar loja. Ne hyjmë gjithmonë për të dhënë maksimumin dhe fusha është ajo që tregon se çfarë kemi merituar. Përpara se të luhet nuk mund të them asgjë.
Ka ndryshuar gjë këtë sezon?
Në fakt, kjo është ndoshta diçka që mund ta analizoni ju gazetarët apo specialistët, sepse nuk është se e mendoj këtë gjë. Por, di të them që tani jemi më të pjekur dhe kemi më shumë cilësi brenda skuadrës. Gjithmonë u them djemve që nuk ka vend për eufori, sepse jemi vetëm në fillim të kampionatit. Çdo gjë duhet parë javë pas jave, vetëm kështu mund të ecim përpara.
Ju pëlqen kjo mënyrë e marrjes së pikëve?
Të them të drejtën, nuk shoh shumë statistika. Më intereson vetëm rezultati dhe pikët. Nuk ka rëndësi si i marrim, edhe nëse pësojmë një gol në pesë javë ose shënojmë katër në po kaq javë. Nuk ka skuadër perfekte, diku mund të bësh më mirë, diku tjetër më keq. Rëndësi ka që të marrim pikët dhe të japim maksimumin gjithmonë.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













