EKSKLUZIVE/ Dinamo në Europë, Ilir Daja analizon shortin: Dua turin e tretë, gati edhe 2-3 afrime (E PLOTË)
Ilir Daja është i bindur se Dinamoja e tij do të tregojë veten në Europë. Do të respektojë emrin e madh të bluve dhe do të synojë kalimin e turit. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, “arkitekti” dhe timonieri i Dinamos analizon shortin, duke respektuar kundërshtarin.

I bindur është, se skuadra do të bëjë mirë, ndërsa vlerëson mbështetjen që i jep presidenca skuadrës blu. Daja kthehet te sukseset e mëdha në Europë, por pranon se grupet nuk i mendon. Në mendjen e tij është vetëm kalimi i turit.
Si e vlerësoni shortin dhe, duke i llogaritur të dyja skuadrat, a është i kalueshëm? Mendoj në nivel paragjykimi, se nuk ka short të lehtë. Kjo për arsye të dinamikës në merkato që kanë ekipet në hyrje dhe në dalje. Kjo dinamikë mund të ketë ndikim në zhvillimin, në cilësitë të një ekipi apo edhe e kundërta. Mendoj që më i favorizuar në turin e parë është ekipi Diferdanzh, sepse në vitet e fundit ka marrë pjesë rregullisht në kompeticionet europiane, ku në vitin 2019 ka qenë pjesëmarrëse në grupet e Europa League dhe në 2022-in, ka eliminuar në turin e parë eliminator të Champions League Tiranën, kampione e atij viti. E mira e këtij shorti është që shmangëm mundësinë e përballjeve me ekipe edhe më të forta si Rapidi i Austrisë dhe Jagiellonia e Polonisë. Ne si ekip, pas shumë vitesh marrim pjesë në kompeticionet europiane, pavarësisht se kemi një skuadër të mirë. Do të them që mundësia për ta kaluar është 50 me 50.
A është e gatshme Dinamo me këta lojtarë që ka për të përballuar Europën? Mund të themi se skuadra është e kompletuar apo do të ndërhyni sërish në merkato?
Ne kemi një kontingjent të mirë lojtarësh dhe kemi nisur përgatitjet që në datë 2 qershor. Pas qëndrimit një javë në kompleksin tonë, jemi nisur drejt Ohrit ku klubi na ka krijuar kushte më optimale, pasi temperaturat atje janë më të ulëta dhe përgatitjet janë më intensive. Jemi aktivë në merkato për ta përforcuar akoma më shumë ekipin në cilësi. Pas afrimeve të fundit, presim që edhe në këtë javë të na afrohen dy apo tre lojtarë të tjerë për ato pozicione që ne kemi me shumë nevojë. Veç të tjerave, Dinamo ka një president si Adrian Bardhi. Njeri, drejtues super korrekt dhe nuk kursehet asnjëherë për dëshirat apo nevojat e skuadrës. Gjithmonë është i gatshëm të na plotësojë kërkesat që ne si staf kemi pasur dhe për çdo trajner ky është plus shumë i madh. Me cilësinë e grupit që kemi dhe seriozitetin e djemve të jemi të gatshëm që në ndeshjen e parë të turit të dytë të “UECL”. Të kemi formë sa më të mirë të mundshme.
Fakti që e nisni nga turi i dytë, ju jep më shumë dorë apo donit skuadrën të luante që në turin e parë?
Kjo ka dy anë të medaljes. Nga njëra anë, mungesa e dy ndeshjeve në turin e parë nuk është në favorin tonë, pasi me takimet zyrtare kapet ritmi optimal. Nga ana tjetër, kalimi direkt në turin e dytë i jep klubit favor financiar.
Mund të përsërisni arritjen e grupeve me Dinamon, siç e bëtë me Ballkanin apo Skënderbeun?
Në kalimin dy herë me Ballkanin në grupet e “UECL” dhe me Skënderbeun në grupet e Europa League, nuk e kam menduar asnjëherë fazën e grupeve. Duke u nisur nga fakti se janë katër ture me sistem eliminimi, jemi të përqendruar në turin e radhës për ta studiuar kundërshtarin deri në detaje. Dhe për të gjetur strategjinë dhe manovrën e duhur me pikësynimin e vetëm kalimin e turit të radhës. Këtë filozofi do të ndjekim edhe me Dinamon, duke respektuar ekipin që do të dalë fitues nga turi i parë, por akoma më shumë, duke respektuar edhe emrin e Dinamos, si një ekip 18 herë kampione e Shqipërisë.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













