Egnatia synon “pokerin”, Vora testi i radhës. Tetova i druhet terrenit në Laç

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2025 | 19:42

Egnatia synon “pokerin”, Vora testi i radhës. Tetova i druhet terrenit në Laç

Egnatia do të zbresë në fushë këtë të diel për të përballuar Vorën në një ndeshje ku kampionët synojnë të vazhdojnë ecurinë pozitive në kampionat. Pas disa rezultateve të mira në ndeshjet e fundit, ekipi ka moral të lartë dhe do të kërkojë të marrë tri pikët për të konsoliduar pozicionin në tabelë dhe pse jo të tentojë kryesimin para pushimit për shkak të ndeshjeve të Kombëtares.

EGNATIA

Trajneri dhe stafi teknik kanë përgatitur skuadrën duke analizuar dobësitë dhe pikat e forta të Vorës, teksa pritet të paraqitet me formacionin më të mirë. Për lojtarët bardhëjeshil, kjo sfidë vjen si një mundësi për të treguar vazhdimësinë e stabilitetit të skuadrës dhe për të rikthyer besimin te tifozët.

PLANI – Për të mos i lënë asgjë rastësisë, Tetova ka bërë gati edhe planin për ta kaluar me sukses këtë ndeshje, pasi dihet që kampionët duan të plotësojnë “pokerin” e fitoreve radhazi dhe u konfirmuar skuadra e momentit në Superiore. Synimi i tyre është që ta mbyllin patjetër në avantazh pjesën e parë, duke iu druajtur agresivitetit të vorakëve me kalimin e minutave. Të njëjtën gjë rrogozhinasit kanë bërë në dy ndeshjet e fundit, ku si ndaj Flamurtarit edhe Tiranës, arritën që ta mbyllnin pjesën e parë në avantazh. Në fund edhe fituan ndeshjen. Edhe ndaj Bylisit që gjithashtu morën tri pikët, e patën këtë mundësi, po të mos ishte për Edison Ndrecën që humbi penalltinë në pjesën e parë dhe iu desh të vuanin më pas në të dytën. Ndaj, edhe me Vorën synohet të jetë e njëjta strategji që deri tani ka rezultuar fituese, edhe pse normalisht nuk pritet të jetë një sipërmarrje e lehtë.

MERAKU I TETOVËS- Për Egnatian, ndeshja ndaj Vorës nuk duket të ketë surpriza të mëdha sa i përket rivalit, sepse ndaj të gjithë kundërshtarëve përgatitja është e njëjtë. Por, një nga elementët që mund të ndikojë në zhvillimin e saj mbeten kushtet e fushës, edhe për faktin se brenda tri ditëve do të luhen dy ndeshje. Dje luajti Laçi me Apoloninë, ndërsa nesër Vora me Egnatian. Rrogozhinasit zakonisht luajnë duke kontrolluar lojën me pasime të shpejta dhe koordinim në mesfushë dhe e dinë mirë se një fushë e keqe mund të ndikojë jo pak në ritmin dhe strategjinë e tyre. Shirat e fundit mund të kenë sjellë rëndim të terrenit, edhe pse për hir të së vërtetës në Laç nuk ka pasur probleme në të kaluarën me fushën, e cila zakonisht ka qenë në kushte optimale.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL