Egnatia nuk ndalet, pas tre titujve kampion tani synon… grupet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 7, 2026 | 20:46

Egnatia nuk ndalet, pas tre titujve kampion tani synon… grupet

Egnatia do të nisë shumë shpejt një nga sfidat më të rëndësishme në historinë e klubit. Pas fitimit të titullit kampion, skuadra rrogozhinase do të tentojë të bëjë hapin e madh në arenën ndërkombëtare, me objektivin për të siguruar për herë të parë një vend në fazën e grupeve të Konferencë Ligë.

egnatia

Një mision i vështirë, por jo i pamundur. Gjithçka do të varet edhe nga shorti dhe kundërshtarët që do të vendosen përballë kampionëve të Shqipërisë në raundet kualifikuese. Megjithatë, në Rrogozhinë besojnë se skuadra ka potencialin për të konkurruar denjësisht dhe për të synuar një sukses historik.

BESIMI TEK DEDE – Një pjesë e madhe e optimizmit lidhet me punën e trajnerit Nevil Dede. Tekniku kryeqytetas mori drejtimin e ekipit në një moment delikat të sezonit, kur Egnatia po kalonte një periudhë të vështirë dhe titulli kampion dukej gjithnjë e më larg. Dede u ul në stolin e kampionëve vetëm dy javë para përfundimit të kampionatit të rregullt, në një moment kur skuadra dukej në rënie të lirë dhe kishte humbur një pjesë të sigurisë që e kishte karakterizuar gjatë sezonit.

Megjithatë, ai arriti të ndryshojë atmosferën brenda grupit dhe ta rikthejë ekipin në rrugën e duhur. Në fund, Egnatia ia doli të fitonte trofeun më të rëndësishëm të sezonit, duke konfirmuar edhe një herë dominimin në futbollin shqiptar. Trofeu i Kupës së Shqipërisë mund të kishte kompletuar një sezon perfekt për rrogozhinasit. Megjithatë, finalja ndaj Dinamos rezultoi zhgënjyese. Një nga momentet që ndikoi më shumë në rrjedhën e sfidës ishte dalja me karton të kuq e Bakajokos që në minutat e para të takimit. Me një lojtar më pak për pjesën më të madhe të ndeshjes, Egnatia e pati të vështirë të ruante ekuilibrat dhe në fund u detyrua të pranonte humbjen. Pavarësisht këtij rezultati, skuadra reagoi menjëherë në “Final 4”, aty ku tregoi karakter kampioni duke fituar të tre përballjet dhe duke siguruar titullin.

RILINDI SULMIN – Ajo që bie më shumë në sy gjatë periudhës së Nevil Dedes në krye të ekipit janë shifrat ofensive. Egnatia u shndërrua në një skuadër shumë më agresive dhe efikase përpara portës kundërshtare. Në gjashtë ndeshjet e drejtuara nga tekniku kryeqytetas, kampionët arritën të shënonin gjithmonë të paktën dy gola për takim. Edhe në dy sfidat e humbura, ndaj Teutës dhe Dinamos në finalen e Kupës, skuadra vazhdoi të prodhonte raste dhe të tregonte forcën e saj në repartin ofensiv. Ky ndryshim i menjëhershëm ka rikthyer besimin se Egnatia mund të paraqitet në Europë me një fytyrë krejt tjetër, duke qenë më e guximshme dhe më efi kase në momentet vendimtare.

PROVA EUROPIANE – Merkatoja e verës pritet të sjellë edhe disa përforcime të rëndësishme, ndërsa drejtuesit janë duke punuar për të rritur nivelin e skuadrës në çdo repart. Objektivi është i qartë, të ndërtohet një grup që mund të përballojë ritmin dhe cilësinë e ndeshjeve europiane. Për Nevil Deden, muajt e ardhshëm do të përfaqësojnë sfidën më të madhe që nga momenti kur mori drejtimin e kampionëve. Titullin e fitoi, por tani kërkohet diçka edhe më e madhe. Në Rrogozhinë ëndërrojnë grupet e Konferencë Ligë. Rruga është e gjatë dhe plot pengesa, por me formën që skuadra tregoi në fundin e sezonit dhe me vazhdimësinë që kërkon të ndërtojë Dede, kampionët besojnë se historia mund të shkruhet pikërisht këtë verë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL