Egnatia do të katërtën, në tre gjysmëfinale ka eliminuar vetëm “big”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 6, 2026 | 19:30

Egnatia do të katërtën, në tre gjysmëfinale ka eliminuar vetëm “big”

Egnatia vazhdon të konfirmojë stabilitetin e saj në Kupa e Shqipërisë, duke siguruar për herë të katërt radhazi një vend në gjysmëfinale. Skuadra nga Rrogozhina tashmë pret të mësojë kundërshtarin e radhës, ndërsa statistikat e viteve të fundit tregojnë një dominim të qartë në këtë fazë të kompeticionit. Në tre edicionet e mëparshme, rrogozhinasit kanë arritur të kalojnë gjithmonë gjysmëfinalen dhe të sigurojnë finalen.

egnatia

Dy herë përballë tyre ka qenë Vllaznia, ndërsa një herë është eliminuar Partizani. Gjysmëfinalja e vitit 2023 u vendos në dy përballje shumë të forta mes Egnatias dhe Vllaznisë. Ndeshja e parë në Shkodër përfundoi 1-1, ndërsa në kthim në Rrogozhinë Egnatia fitoi 1-0, duke siguruar kalimin në finale. Edhe në sezonin 2023-24 skenari ishte i ngjashëm.

Egnatia fitoi minimalisht 1-0 në takimin e parë në Rrogozhinë, ndërsa sfida e kthimit në Shkodër përfundoi 1-1 pas kohës shtesë. Ky rezultat i dha sërish kualifikimin ekipit rrogozhinas. Në edicionin e kaluar, në vitin 2025, në gjysmëfinale ishte përballë Partizanit. Ndeshja e parë në Rrogozhinë u fitua nga të kuqtë 1- 0, por Egnatia reagoi fuqishëm në kthim në Tiranë.

Pas kohës shtesë, rrogozhinasit triumfuan 2-0 dhe siguruan edhe një herë finalen. Këto rezultate tregojnë se Egnatia është shndërruar në një skuadër shumë të fortë në këtë fazë të Kupës. Tashmë mbetet për t’u parë nëse rrogozhinasit do të arrijnë edhe këtë sezon të kalojnë gjysmëfinalen dhe të sigurojnë një tjetër finale radhazi.

PANORAMASPORT.AL