Editoriali i kampionatit/ Rogozhina! RROGOZHINA! RROGOZHINA!
Nga BESNIK DIZDARI
E kam vendosur me germa kapitale. Ia kam shkruar tri herë emrin e qytetit. I kam vënë tri pikëçuditëse në të tre fjalëtemra: ROGOZHINA! RROGOZHINA! RROGOZHINA!
Ndryshe EGNATIA. Por kësaj here po më pëlqen të ngrejë më lart qytetin se sa emrin e skuadrës së tij. Në të vërtetë të ngrejë lart skuadrën me emrin e lashtë Egnatia, që është skuadër e qytetit Rrogozhinë.
E pra, çka po ngjet kështu me Kampionatin e Shqipërisë, teksa ka ndodhur që skuadra e një qyteti të vogël, ndoshta me vetëm 20.000 banorë, brenda një viti të vetëm i ka fituar të tri veprimtaritë më të mëdha të futbollit në Shqipëri? Skuadra, e cila këtë javë përkuli edhe Vllazninë e madhe për Shqipërinë, me një 2-0 të qartë?…
Kjo është skuadra e Rrogozhinës, e qytetit me të cilin shqiptarët takohen sa herë lënë mbas Durrësin e Kavajën dhe i drejtohen thellësisë së Shqipërisë së Mesme apo asaj të Jugut. Është Rrogozhina – një qytet i vogël i rrugës antike “Egnatia”, prej ku ka marrë edhe emrin skuadra e tij e futbollit. E mesa duket, nuk themi asgjë të re edhe me këto. Vërtet?…
Mirëpo, më 26 dhjetor 2024, duke fituar 2-0 me skuadrën e KF Kukësit, Egnatia shpalosi risinë e tretë të vitit 2024. Ajo fitoi kështu “finalen” e tretë të vitit futbollistik, kjo e vlefshme për Superkupën e Shqipërisë. Këtë e arriti mbasi më 14 maj 2024 kishte fituar finalen tjetër, 1-0, po me KF Kukësin, çka do të thoshte që kështu kishte fituar Kupën e Shqipërisë. Ndërkohë që vetëm 12 ditë më vonë, më 26 maj 2024 duke mundur Partizanin po 1-0 brenda në Tiranë në finalen e Kampionatit Kombëtar, fitoi edhe titullin e Kampiones së Shqipërisë.
Një arritje e tillë e trefishtë brenda një viti të vetëm futbollistik prej një skuadre e një qyteti me vetëm nja 20.00 banorë, e cila po merrte pjesë vetëm 5 herë në Kampionatin Kombëtar të vendit të saj, siç është Egnatia e Rrogozhinës, nuk kishte ndodhur asnjëherë në Shqipëri. Këtë arritje të rrallë të trefishtë në një sezon futbolli, në tanësi, e kishin mbërritur nga 1 herë, vetëm dy të mëdhenj: Dinamo më 1990 dhe Partizani më 1993. Por ato nuk janë skuadra që marrin pjesë vetëm 5 herë në kampionat, po së bashku kanë marrë pjesë 135 herë në Kampionate. Dhe po së bashku kanë fituar 35 tituj të Kampionit të Shqipërisë. Përballë tyre skuadra e Rrogozhinës duket mikroskopike. Mirëpo, këto po ndodhin në futbollin e sotëm shqiptar.
E ndërsa unë (dhe jo vetëm unë) pres revolucionin e përmbysjes së skemës së këtij Kampionati, në të vërtetë ka ndodhur revolucioni i Egnatias së Rrogozhinës. Skuadër kjo, e cila në pesë pjesëmarrje të vetme të 95 vjetëve të Kampionatit të futbollit në Shqipëri, ka fituar radhazi dy Kupa të Shqipërisë, një Superkupë dhe mbi të gjitha këto, ajo ka fituar më të madhen: titullin e Kampionit të Shqipërisë.
Ky është revolucioni i qytetit të vogël të Rrogozhinës në futboll, e madje në krejt sportin shqiptar. E, ndërkohë, po të shkojmë te kampionatet e dikurshme të qyteteve të Shqipërisë, sidomos te ata të viteve ’50, ‘60 apo ‘70, kur të mëdhenjtë sundonin me prepotencë, as që mund të paramendohej që Kampione të Shqipërisë të bëhej, bie fjala, Minatori i Selenicës apo Iliria e Fushë-Krujës. Apo dhe sikur titullin e Kampionit ta fitonte skuadra e Fermentimit të Duhanit të Shkodrës ose ajo e Kombinatit të Tekstileve “Stalin”. Po të ndodhnin këto, do të ishte sikur të përmbysej bota.
E pra, kur kujton se Egnatia e Rrogozhinës merr pjesë vetëm për herë të pestë në Kampionatin e Shqipërisë, edhe ajo historikisht të duket se hyn në grupin e skuadrave episodike në fjalë. Por jo! Egnatia është Kampione e Shqipërisë në fuqi. Është fituese e Kupës së Shqipërisë në fuqi. Është “episodike”, është fituese e Superkupës së Shqipërisë po në fuqi. Të gjitha këto në një hark kohor prej 8 muajsh: 15 maj–26 dhjetor 2024.
Kësisoji, na duhet të pranojmë se pasqyrat e tre trofeve kombëtarë të Egnatias së Rrogozhinës së vitit 2024, për historinë tonë janë gjigandë:
14 maj 2024. Tiranë. St. “Air Albania”
EGNATIA E RROGOZHINËS – fituese e KUPËS SË SHQIPËRISË
EGNATIA – KF KUKËSI 1-0
GOLAT: Ndreca 38’
EGNATIA: Sherri, Malota, Ndreca, Fangaj, Xhemajli, Dulysse, Medeiros (Doukou 84’), Zejnullai, Ahmetaj, Ibrahimoglu. Montenegro.
TRAJNER: Edlir Tetova
26 maj 2024. Tiranë. St. “Air Albania”:
EGNATIA E RROGOZHINËS – fitues e KAMPIONATIT TË SHQIPËRISË:
PARTIZANI – EGNATIA 0-1
GOLAT: Ibrahimoglu 35’
EGNATIA: Sherri, Malota, Ndreca, Fangaj, Xhemajli, Dulysse (Spahiu 33’), Aleksi, Medeiros (Rama 79’), Zejnullai (Ahmetaj 95’), Montenegro, Ibrahimoglu.
TRAJNER: Edlir Tetova
EGNATIA E RROGOZHINËS – fituese e SUPERKUPËS SË SHQIPËRISË:
EGNATIA – KUKËSI 2-0
GOLAT: Ujka 19’, Bakajoko 84’
EGNATIA: Dobjani, Malota, Ndreca, Rama (Ëotlai 61’), Fangaj, Xhemajli, Aleksi (Dulysse 89), Lushkja (Ahmetaj 89’), Zejnullai (Kasa 61’), Ujka (Doukouo 76’), Bakajoko.
TRAJNER: Edlir Tetova
E shihni ndërkaq, se të tri ndeshjet padrejtësisht janë zhvilluar në kryeqytetin Tiranë, çka e çon në “nokaut” triherësh sundimin e skuadrave të qyteteve të Shqipërisë dhe të vetë kryeqytetit.
Sigurisht, kam shkruar jo pak për skuadrën e Rrogozhinës. Nuk po shtoj më tej, vetëm po bashkëngjis këtu një fragment të shpejtë të portretizimit të titulluar: “Kampionia e merituar EGNATIA dhe tronditja e madhe e historisë!”, botuar menjëherë mbas fitimit prej saj të titullit Kampione e Shqipërisë:
“…Kjo Rrogozhinë e vogël fitoi Kampionatin Kombëtar të Futbollit të Republikës së Shqipërisë 2024. Për herë të parë! Mbi të gjitha, duke e tronditur tejet historinë. Askush nuk mund të mohojë meritat e mëdha të kësaj skuadre, ku pa harruar presidentin e saj Agim Demrozi, spikat trajneri i saj që në këtë profesion është një emër i ri: Edlir Tetova – pjesë e bukur e qytetit të Teutës, skuadrës së Durrësit. Të cilin në Referendumin tim të përvitshëm e shpalla si “Trajnerin e Vitit”. Ai e drejtoi Egnatian duke ia arritur që ajo të zotërojë për 1 vit krejt Kampionatin. E detyruan të vinte në Tiranë për t’u përballur me Partizanin vendës. Egnatia përveshi mangët, nuk iu tremb syri dhe mbasi mënjanoi Vllazninë, shkoi te Partizani të cilin e mposhti përmes një ndeshje të një stili të plotë europian”…
Dhe mbas fitores së pamëshirshme 2-0, këtë të dielë që shkoi me Vllazninë në Shkodrën më futbollistike se askush tjetër, Egnatia është kryesuese në fuqi edhe e Kampionatit të Shqipërisë në rrugëtim e sipër, këtij 2024-2025! Mesa duket revolucioni i saj vazhdon.
A mund të mbërrijë skuadra e Rrogozhinës te trofeu i katërt radhazi, që është ky i vitit 2025? Nuk është e lehtë ta parashikosh këtë. Do t’i sulen të gjithë. Sidomos Skënderbeu i Korçës me vetëm 19 pikë, Sportklub Tirana (21) e Teuta e Durrësit (23) – tre qytete të famshëm të futbollit shqiptar, të cilët po i thërret fort Kategoria e Dytë. Sepse ky Kampionat i pamshirshëm, me skemën e tij po të pamshirshëm e krejt të papranueshme, ka vite që këtë kërkon: si e si të përjashtojë skuadrat e qyteteve tradicionale të tij.
Kësisoji, nuk mund ta marrim me mend nëse mund të vazhdojë revolucioni i Egnatias së Rrogozhinës. Dhe papritmas erdhën tri fitoret fort të çuditshme të kësaj jave: fitorja e SK Tiranës 3-0 në Ballsh me Bylis, ajo e KF Laçit në Elbasan me AF Elbasanin, si dhe ajo e Skënderbeut të Korçës 2-1 në Korçë me Teutën! E, këto fitore ndoshta mund të jenë paralajmërimi i një tronditje të madhe të këtij Kampionati, i cili sipas disa “analistëve”, është bërë i bukur sepse e pakta 4 skuadra, pra 40 përqind e pjesëmarrëseve të Kampionatit, këtë javë vunë kandidaturën për të rënë. Dhe dihet që mund të bien deri dhe tre skuadra, pra 30 përqind prej 10-shes pjesëmarrëse të Kampionatit. Padyshim përqindja më e lartë në Europë për rënie në një Kampionat Kombëtar. Origjinalitet shqiptar edhe ky.
Por t’i lëmë kritikat, hamendjet, dëshirat. E tash për tash le të nderojmë revolucionin e Egnatias që të duket se, deri në “fortissimo”, na tingëllon kështu:
“ROGOZHINA! RROGOZHINA! RROGOZHINA!”
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"