Editoriali i Kampionatit nga Besnik Dizdari / “Kampionati i Shqipërisë së Mesme” dhe Shqipëria që ndalon talentet e saj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 3, 2025 | 19:27

Editoriali i Kampionatit nga Besnik Dizdari / “Kampionati i Shqipërisë së Mesme” dhe Shqipëria që ndalon talentet e saj

NGA BESNIK DIZDARI
Këtu mbërritëm: që plot 7 skuadra, pra 70 për qind e 10-shes të Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë, i përkasin pak a shumë Shqipërisë së Mesme. Shihni hartën bashkangjitur këtu . Madje, më saktë, kur e mendon Vorën vetëm nja 10 kilometra larg Tiranës, pra një lloj periferie e saj, përveç të tjerave mund të themi se 40 përqind e skuadrave i përkasin vetëm tokës së kryeqytetit të Shqipërisë Tiranë: SK Tirana, Partizani, Dinamo e KF Vora. Mandej vijnë tre të tjerët me Durrës, Elbasan e Rrogozhinë, që janë nga 30- 40 kilometra larg për t’u plotësuar kështu Kampionati ynë i Shqipërisë së Mesme.

541367629_755966657221297_1034917649566212288_n

Çka tregon kjo?
Kjo tregon se ngjyra kombëtare e Kampionatit të Shqipërisë është ngushtuar tejet; deri aty saqë nuk mund ta quajmë assesi hapsinore. Shkodra e vetmueme e “Shqipërisë Veriore” me Vllazninë e saj, ka më afër skuadrën simpatike të Tuzit shqiptar të Malit të Zi se sa bashkëkombëtarasit e Republikës të Shqipërisë të saj. E gati-gati të thotë mendja përse nuk i rikthehet paksa edhe Kampionatit shqiptaro-malazez të Shkodrës të vitit 1925 kur me Bashkimin Shkodran, Juventusin e Shkodrës, Studente Shkodra e skuadrën Crnagoroc të Cetinës, organizoi atë themelim të bujshëm, kur Mali i Zi ende nuk organizonte asnjë kampionat futbolli përsëmbari. Eshtë 100 vjet më parë. Ky është Kampionati i parë i futbollit në Shqipëri, ku siç ka treguar Anton Mazrreku, daja i tij Luigj Gurakuqi iu tregoi për herë të parë të rinjve shkodranë se kur organizohet një kampionat futbolli jipen 2 pikë për fitoren e 1 pikë për barazimin. Historina të bukura këto!…

Po në fund të fundit, a prish ndonjë punë e gjitha kjo situatë e jona e sotme kombëtare fort kundërgjeografike? Çfarë faji pra, përbën Vora e vogël, më parë fshat, e cila me meritë e mbërriti Kampionatin e Shqipërisë? Apo që Egnatia e Rrogozhinës së vogël, fiton tituj pa ia nda? Ndërsa, nga ana tjetër, skuadra të tilla si Tomori i Beratit, Luftëtari i Gjirokastrës dhe tash i sapo rëni Skenderbeu i Korçës, e me rradhë Apoloni e Fierit apo KF Lushnje, thuajse i gjithë Jugu apo Shqipëria e përtej Shkumbinit, është harruar kësisoji. Kur dihet se futbolli ynë jugor ka qenë parësor në Shqipëri.

Me siguri këta nuk punojnë si duhet me futbollin. E kanë lëshuar deri aty sa nuk ka shkon më! Jam çuditur fort që për rënien e Skenderbeut, Korça nuk bëzani, e me sa më thonë, as që do t’ia dijë. E ka përjetuar rënien sikur nuk ka ndodhë! Po bëhen të zakonshme të jashtëzakonshmet. Indiferentizmi ka mbërritë majat.

Mirëpo, ja që ka edhe disa fajtorë të tjerë. Janë ata që drejtojnë futbollin shqiptar e bashkë me ta edhe ajo lloj ministrie apo qeverie të cilët gjithashtu as që duan t’ia dijnë.

Nuk mendoj se gaboj kur pohoj se ardhja në Kampionatin e Shqipërisë e skuadrave të vogla, afërsisht të një zone kësisoji qytetesh të vegjël të ngjeshur pranë e pranë, nuk tregon zhvillimin e futbollit të zonës e tyre. Sepse dihet: përbërjet e skuadrave të tyre janë me rreth 90 përqind me lojtarë të tjetërkuj. Ky është dështimi i madh i Kampionatit të Shqipërisë për të cilin një publicitet televiziv i një euforie të papame, tek ushton pa prâ, të duket se don të ta mbushë mendjen se është fjala për Kampionatin e Anglisë.

E tash të fillojmë e të përsërisim deri në mërzi, se Kampionati me vetëm 10 skuadra përbën një nga dështimet më të mëdha të gjeopolitikës kombëtare në të gjithë historinë e tij 95 vjeçare; se kampionatet, bie fjala, me 12, 14, 16 e madje deri me 18 skuadra në rreth nja 60 vjet me rradhë kanë qenë më të qëndrueshmit në këte histori, më duket se nuk ia vlen më.

Vlen diçka tjetër. Vlen ajo që na thotë se duhet të çohemi peshë për të risjellë vlerat e ndjenjës kombëtare të futbollit të Shqipërisë sonë.

Eshtë shumë e rëndë një rregullore e këtyre ditëve e FSHF për përbërjet e ekipeve Kombëtare, ku një prej këtyre mrekullive të saj thotë fjalë për fjalë këte:

“Për Shqipërinë e 21 vjeçarëve, 16 lojtarë duhet të vijnë nga jashtë Shqipërisë dhe vetëm 7 nga Shqipëria (30%)”.

Dhe nuk mbaron këtu, teksa “mrekullia” në fjalë vazhdon e na thotë më tej:

“Shqipëria e 19 vjeçarëve duhet të ketë 14 lojtarë nga jashtë dhe vetëm 6 nga Kampionati i Shqipërisë” të cilin FSHF e quan “vendas”, pra nuk guxon ta quajë as “shqiptar”.

Mandej, duke mbërritur te Kombëtaret e 17, 16, 15 e 14 vjeçarëve, prap ato me detyrim duhet të paskan respektivisht nga 11, 8, 6 e 5 lojtarë jo vendas, pra jo të Shqipërisë.

E në tanësi, kemi 7 ekipe të vetëm të një zone gjeografike në Kampionatin Kombëtar dhe urdhëri i pamshirshëm që të përcakton se sa djem të “JoShqipërisë” dhe të “PoShqipërisë” mund të vijnë në Kombëtaret tona. Nuk ka shtet në botë që ka një rregullore të tillë.

Ndërkaq, papritmas “kapaku i florinit” mu shfaq te një shkrim i shkurtër i “PanoramaSport” që ishte ky: “Shqipëria U21 me risi: 6 lojtarë, nga Superiorja”.

Gëzim i madh! Kaq poshtë kemi rënë saqë detyrohemi ta quajmë sukses a risi që Shqipëria e 21-vjeçarëve do të ketë 6 lojtarë (vetëm 30 përqind) nga Kampionati i Shqipërisë.

Prej këtu shkova te 5 ndeshjet e kësaj jave. Numrova plot 61 lojtarë të huaj, pra jo të kombësisë shqiptare. Nuk shkova te lojtarët e tjerë që kanë lindur e janë rritur jashtë tokës së Shqipërisë, se kushedi ku mbërrin përqindja e lojtarëve të 10 skuadrave tona, të cilët nuk i përkasin futbollit të Republikës së Shqipërisë. Pashë se “JoShqiptarë” Sportklub Tirana kishte plot 8 lojtarë. Dhe ky Sportklub ndërkombëtar shkon e shkatërrohet 3-1 prej Vorës aq të vogël e krejt rishtare. E kush? Pikërisht 17 Nëntori apo Sportklub Tirana që ka nxjerrë pafund lojtarë të mrekullueshëm për të gjitha Kombëtaret e Shqipërisë.

Kështu pra: mirësevini deri në 70 përqind të Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë, ju skuadra, kryesisht të Shqipërisë së Mesme, që kanë gjetë sponsorët e duhur për të blerë talente të huaj. Po a vërtet janë kaq të talentuar këta futbollistë të huaj blerja e të cilëve po shkatërron të ardhmen e talenteve shqiptarë? Kurrsesi! Një përgjigje të kësaj pyetje e pres nga specialistët e shquar të Shqipërisë. Sigurisht nga ata të cilët nuk i janë nënshtruar servilizmit shembullor ndaj drejtimeve të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Kampionati i Shqipërisë, përveçse ka braktisë jo pak skuadra të qyteteve më futbollistikë, mbi të gjitha ai ka braktisë talentet shqiptare të moshave të reja. Më saktë, i ka përjashtuar nga mundësitë për të luajtur në Kampionatin Kombëtar si dhe për të qenë pjesë në Kombëtaret e Shqipërisë. Me sa duket, tash e mbrapa, ata do t’i kërcënojë pa mëshirë edhe rregullorja e mësipërme që urdhëron me shifra të tmerrshëm se sa djem të Shqipërisë mund të guxojnë për të ardhur në Kombëtare. Nuk ka shtet në botë që mund ta pranojë këtë rregullore absurde.

Dhe mandej, në kundërshtim me ne mbërrin justifikimi i famshëm që është ky: po a nuk janë të mbushura me shumicë lojtarësh të huaj klubet më të famshëm të Europës Perëndimore?

E vërtetë. Mirëpo, shkoni e vizitoni shkollat e tyre të futbollit që prodhojnë e prodhojnë sa munden futbollistë të rinj fort të talentuar. Sigurisht një pjesë të këtyre talenteve i shesin për të fituar milionë. Ndërsa për ne lind pyetja: sa talente të futbollit të mbrendshën shqiptar po blihen nga klubet e huaj?

Këtu në të vërtet duhet të përfundojë editoriali ynë. Nuk ia vlen të zgjatet më tej.

Vetëm po vendos “kapakun e florinit” të kësaj përmbylljeje, “ari” i të cilët është krejt i pashndritshëm, teksa buçet në këto shifra:

Në ndeshjen Egnatia – AF Elbasani, për fat ishin 2500 spektatorë, në ate Partizani – Teuta vetëm 1800 spektatorë, në ate KF Vora – SK Tirana vetëm 1500, në Flamurtari – Bylis 800, e në ate Dinamo – Vllaznia ishin 700 spektatorë. Në tanësi ishin 7300 spektatorë. Që do të thotë se ishin mesatarisht 1460 spektatorë për ndeshje. Si të ishte Kampionati i kooperativave bujqësore të dikurshme. Kjo është brajktisja historike e Kampionatit të Shqipërisë prej shqiptarëve.

Ndërkaq, detyrohemi të shkojmë te pjesëmarrja e Shqipërisë në Kupat e Europës.

Dhe na del se nga 9 duele kualifikimi klubet e Shqipërisë arritën të kalojnë vetëm 4 prej tyre. Dihet, në të shumtën e tyre këta duele ishin me skuadra të rangut të tretë të Europës: Letoni, Biellorusi, Andorra… Disa prej të cilave mezi po ua shkruanim emrat e panjohur: Breidablik, Daugavpils, Atletic Escaldes, Nomme Kalju… Për ne sot sikur janë ndaluar me ligj emra të tillë si Koln, Norçeping, Torino, Ajax, Barcelona, Austria, Celtic e të tjerë të cilët dikur u patën sfiduar prej skuadrave të Shqipërisë.

Në këte 2025 emër i madh ishte vetëm Hajduku i Splitit të Kroacisë, skuadër e cila derdhi lot sapo mbaroi ndeshja me Dinamon ngaqë as që i kishte shkuar nëpërmend se mund të eliminohej nga një skuadër e sotme shqiptare. Po në të vërtetë as ky nuk ishte Hajduku i madh i një kohe i emrave të tillë botërorë si Beara, Matosic, Vukas, Buljan, Holcer, Nadoveza, Jerkovic, Zhungul, Shurjak, Primorac apo Zoran e Zlatko Vujovic sa për një shkuar te një kujtesë që na flet për një kohë, që po deshe quaje jugosllave a kroate, e cila trondiste futbollin e Europës. Ky i sotmi ishte një Hajduk “krejt ” i panjohur “. E nuk ishte as Hajduku i vitit 1946 kur e pat mundur 2- 1 Vllaznia e Muhamet Dibrës, Xhelal Jukës, Bimo Fakjes e Dod Tahirit.

Dhe ja ku mbërrijmë te fakti tjetër i frikshëm që na thotë se në UEFA Ranking, Shqipëria renditet e 44-ta në Europë midis 55 shteteve. Kosova para Shqipërisë: e 38-ta!

Sa i mërzitshëm që po më duket ky editorial i parë i Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë në 95 vjetorin e themelimit të tij!

“Shpëtojeni futbollin nga “mbidoza” titullohej këto dit editoriali i faqes së parë të gazetës 140 vjeçare italiane “Il Secolo XIX” me autor gazetarin Michele Brambilla. Paska “vuajtje” edhe për shtetin mbase më futbollistik në botë. Por mendja ime mbeti te dy rreshtat e fundit të atij editoriali të Brambilla-s. Shkruante si në një retorikë që mund ta quaj tejet realiste: “Nostalgji e një të moshuari? Ndoshta. Por një proverb i vjetër thotë se kur kalohet masa, kjo të gjymton”.

“Shumë” (mbidozë) pra! Si puna e sundimit të “shumë” skuadrave të një territori të ngushtë dhe e të “shumë” lojtarëve të huaj në Shqipëri.

PANORAMASPORT.AL