Edi Martini prek mesfushën, Sala dhe Qato në skenë. Vllaznia riorganizohet para sfidës me ballshiotët
Mesfusha e Vllaznisë pritet të jetë reparti ku trajneri Edi Martini do të ndërhyjë më shumë në prag të ndeshjes ndaj Bylis. Shkak kryesor mbetet mungesa e Ardit Krymi, 29 vjeç, i pezulluar për shkak kartonash, një element i rëndësishëm në ekuilibrin e skuadrës.
Për të zëvendësuar Krymin, pritet që mundësia t’i jepet Eslit Sala, i cili ka bërë mirë në minutat që ka pasur në dispozicion gjatë këtij sezoni. Aktivizimet e tij kanë qenë të qëndrueshme dhe ai shihet si një opsion praktik për këtë ndeshje, duke ofruar siguri në qarkullimin e topit dhe disiplinë taktike. Një tjetër lëvizje e mundshme në mesfushë lidhet me Klinti Qato, i cili pritet ta nisë nga minuta e parë. Paraqitja e tij pozitive në sfidën e fundit ndaj Elbasani duket se ka bindur stafin teknik, duke i dhënë më shumë hapësirë në formacionin titullar për këtë përballje. Ndërkohë, Dros pritet ta nisë nga stoli.
Mesfushori moldav është ende duke fituar ritmin e plotë të ndeshje që shihet qartazi që mungon, pas një periudhe të gjatë pushimi si shkak i një dëmtimi. E në këtë mënyrë mendojet se do e nisë nga stoli ndeshjen përballë Bylis këtë të shtunë. Në tërësi, ndryshimet e pritshme tregojnë se mesfusha do të jetë reparti më i prekur për Vllazninë në këtë takim. Martini kërkon të ruajë balancën e skuadrës dhe të gjejë zgjidhje funksionale përballë një kundërshtari si Bylis, në një ndeshje ku çdo detaj pritet të ketë rëndësi dhe peshë në marrjen e pikëve të plota. Që ngelin objektivi kryesor i kuqebluve në këtë duel.
SHTËPIA – Vllaznia rikthehet këtë fundjavë në stadiumin “Loro Boriçi”, vendin ku skuadra shkodrane ka treguar këtë sezon forcën më të madhe. Për kuqeblutë, ndeshjet si pritëse kanë qenë një armë e vërtetë, dhe rikthimi në shtëpi nuk vjen vetëm si një domosdoshmëri logjistike, por edhe si një moment psikologjik për skuadrën e drejtuar nga Edi Martini. Me tre ndeshje ende për të luajtur në Superiore, dy prej të cilave në “Loro Boriçi”, pritshmëritë janë të larta. Statistikat flasin qartë: Vllaznia është thuajse e pathyeshme në Shkodër. Nga 48 pikët e mundshme në 16 ndeshje si pritëse, kuqeblutë kanë grumbulluar plot 41, duke treguar një stabilitet të jashtëzakonshëm.
Vetëm Bylis në një barazim 1-1. Dinamo në një barazim 0-0 dhe Teuta me një sukses 0-1, kanë arritur të marrë një pikë në udhëtimet e tyre në veri. Duke e bërë humbjen ndaj durrsakëve të vetmen “njollë” në bilancin e shkodranëve si pritës këtë edicion. Performanca në fushën e tyre ka qenë e shoqëruar edhe me shifra mbresëlënëse në aspektin golash. Vllaznia ka shënuar 26 gola dhe ka pësuar vetëm 8, duke treguar një raport të shkëlqyer mes ofensivës dhe mbrojtjes. Këto statistika nuk janë thjesht numra, por tregues të një kulture fitoreje që është ndërtuar në “Loro Boriçi” gjatë gjithë sezonit. Kjo e shtunë sjell përballjen me Bylis, një nga tre skuadrat që ia kanë dalë të marrë pikë këtë sezon në Shkodër.
Ky fakt e bën sfidën akoma më të rëndësishme, duke e kthyer atë jo thjesht në një duel për tre pikë, por në një test për të konfirmuar fortësinë e stadiumit dhe të ekipit para tifozëve të tyre besnikë. Nga ana tjetër, motivimi në radhët e kuqebluve është maksimal. Stafi dhe futbollistët duken të gatshëm të japin maksimumin për të ruajtur “fortesën” e tyre. Atmosfera pozitive brenda skuadrës pavarësisht rezultateteve të fundit duket se nuk e ka ç’ekuilibruar ekipin. E po ashtu dhe mbështetja e tifozëve pritet të jenë një tjetër element vendimtar në këtë përballje.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













