“Duhet të kishte më shumë gola, sot pa egoizëm”, Martini pas dominimit ndaj Elbasanit: Vllaznia ka një kundërshtar shumë të rrezikshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2025 | 21:30

“Duhet të kishte më shumë gola, sot pa egoizëm”, Martini pas dominimit ndaj Elbasanit: Vllaznia ka një kundërshtar shumë të rrezikshëm

Trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, ishte i lumtur që skuadra e tij po arrin të shprehë në fushë atë që po tregon edhe në stërvitje gjatë gjithë javës dhe theksoi se ndaj Elbasanit, skuadra duhej të kishte shënuar shumë më tepër.

bandicam 2025-10-04 21-13-18-108

“Nuk ka pasur ndeshje tjetër ku kemi rënë në pjesën e dytë. Kishim shumë mungesa dhe nuk iu përgjigja ndërrimeve të Elbasanit, mungesat ndikuan në pjesën e dytë. Në minutat e fundit ia kemi dalë edhe në ndeshje të tjera, si me Partizanin. Përgëzoj Elbasanin për pjesën e dytë, një ekip bëhet më i mirë kur vuan si ne në minutat e fundit. Dua të përgëzoj djemtë për atë që dhanë në fushë dhe gëzohem kur shoh këto njerëz që gëzojë në “Loro Boriçi”.

Ndaj Vorës ishte vetëkënaqësi, jo nga gjendja fizike. Sot ishim në vështirësi fizike. Nuk ia dolëm të godasim kundërshtarin, duhet të kishte më shumë gola për ne në pjesën e parë, por komplimentoj djemtë për atë që dhanë në fushën e lojës.

Para fillimit të ndeshjes kërkonim me Jagon që kishte mundësi të veçanta të hynte në mes, se na ka shënuar disa gola në sezonin e kaluar, ka bërë ndeshje të mira. Desha që Mala e Kallaku të vinin në vështirësi qendrën e tyre, me Kastratin e Jagon nga krahët, e bënë perfekt në pjesën e parë, duhej të shënonim më shumë gola. Kjo nuk ishte si ditët e tjerë ku ishim me egoizëm kush e bën golin, dhamë gjithçka dhe goditëm edhe shtylla. Pastaj pjesën e dytë ramë, por nuk i dhamë hapësirë kundërshtarit, kishim marrë metra, por po ta shihni që vetëm një herë apo dy na kanë rrezikuar.

Po ta keni vënë re, nxora Kastratin dhe vendosa Malën djathtas, doja t’i goditja pas shpine se Kastrati është i shpejtë. Sot kishim mungesa, Murataj që u fut nuk ishte stërvitur gjithë javën, Bismark dhe Kuro janë të rëndësishëm për ne, do i jepnin ritëm tjetër loje. Ne nuk mbështetëm mirë mbrojtjen kur na e bënë presingun. Ajo që më pëlqen është që e mbyllëm pa gol dhe ekipi vuajti, ajo që më dogji më tepër gjatë javës ishte ai gol i pësuar në minutën e 96 në Durrës. Morëm këto tre pikë që djemtë i meritonin absolutisht.

Kjo që djemtë bëjnë në ndeshje, e bëjnë çdo ditë në stërvitje, vetëm të shihni stërvitjen, dëshirën e tyre, mënyrën si sulmojmë, i gjithë ekipi lart. E përdorim shumë në stërvitje, janë të përqendruar maksimalisht, atë që bëjmë në stërvitje e bëjnë edhe në ndeshje. Është meritë e tyre, mund të shënonim 2 ose 3 që të mbyllnim lojën. Ajo që më gëzon, edhe me mungesa jemi superiorë ndaj kundërshtarit dhe më gëzon se është mundi e djersa e asaj që bëjmë çdo ditë në stërvitje.

Kam një kundërshtar shumë të rrezikshëm, euforia, që është gjëja më keqe që mund të ndodhë. Kam djem të pjekur, është fakt lojërat që kemi bërë, por duhet të mundim euforinë, kundërshtarin më të rrezikshëm”, tha Martini për RTSH pas ndeshjes.

PANORAMASPORT.AL