Drejtori sportiv i Flamurtarit drejt largimit, në Vlorë pritet ish-i i Partizanit
Artim Pollozhani drejt largimit! Flamurtari po kalon momente të “nxehta” në Vlorë, ku tifozët e “Flota Kuqezi” “shpërthyen” në thirrje kundër drejtorit sportiv gjatë ndeshjes të së dielës ndaj Tiranës. “Artim Pollozhani, ik nga Flamurtari”.
Kjo thirrje u dëgjua disa herë nga tribuna e ultrasve, duke e bërë të qartë tensionin që po rritet dhe pakënaqësinë ndaj drejtorit i cili ishte “koka” e merkatos se verës por që duket se po rezulton e dështuar. Thirrjet kundër Pollozhanit gjatë ndeshjes me Tiranën shënojnë kulmin e pakënaqësisë së tifozëve. Edhe pse klubi ende nuk ka bërë asnjë deklaratë zyrtare për të ardhmen e tij, presioni është tashmë i dukshëm dhe mund të sjellë zhvillime të reja së shpejti. Sinan Idrizi e “fali” shqiptarin nga Maqedonia e Veriut, duke mos e larguar me trajnerin Karlos Garsia, por i dha një mundësi të fundit. Kupa tashmë është mbushur dhe në lojë kanë hyrë tifozët, çka e bënë të pamundur qëndrimin e Pollozhanit në Vlorë kur skuadra nuk po ngrihet në rezultate. Pollozhani ka bërë merkaton e tri sezoneve të fundit të kuqezinjve. Ai më herët ka qenë edhe kapiten i skuadrës.
GATI RIKTHIMI – Arbër Abilaliaj duket se është pranë marrëveshjes. Në Vlorë qarkullon gjithashtu me forcë emri i Arbër Abilaliajt, i cili sipas burimeve konfidenciale është “gati” për të hyrë në strukturat e Flamurtarit. Ai po projektohet në vend të Pollozhanit, si drejtor sportiv dhe pritet që lëvizja të konkretizohet brenda këtyre ditëve ose në fillim të janarit. Flamurtari hyn kështu në një fazë të re ndryshimesh, ku largimet, afrimet dhe pozitat drejtuese mund të riformatojnë të gjithë strukturën e klubit për pjesën e mbetur të sezonit. Në ditët në vijim priten zhvillime të tjera të rëndësishme.
REVOLUCION I PARALAJMËRUAR – Largimet do të nisin menjëherë. Brenda mureve të klubit situata është në lëvizje. Burime pranë Flamurtarit bëjnë të ditur se këto ditë ka nisur të mendohet për procesin e ristrukturimit të skuadrës, një kërkesë e vetë stafit teknik dhe drejtuesve, për shkak të performancës shumë poshtë pritshmërive. Pritet që 5 ose 6 lojtarë të largohen brenda dhjetorit ose zyrtarisht në merkaton e janarit. Në ambientet e klubit janë parë këtë javë menaxherë të ndryshëm, të cilët po zhvillojnë takime intensive me drejtuesit për gjetjen e zgjidhjeve dhe përgatitjen e afrimeve të reja.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













