Dinamos nuk i ndahen mungesat, Bruno Dita dhe Sali janë jashtë edhe këtë javë
Mungesat janë të pashmangshme për çdo skuadër në këtë periudhë dhe Dinamo nuk bën përjashtim. Blutë do të kenë të paktën 3 mungesa për ndeshjen e nesërme me Skënderbeun, e vlefshme për javën e 23-të të Superiores.

Dy prej tyre titullarë. Kapiteni Bruno Dita dhe portieri Edmir Sali nuk do të jenë të gatshëm për stafin teknik për shkak dëmtimesh, ashtu si dhe Eridon Qardaku. Dita pritet që sot të kthehet nga Serbia, ku shkoi për të bërë një terapi speciale për një rikuperim më të shpejtë nga dëmtimi që pësoi para ndeshjes me Elbasanin. Kjo do të thotë se në rastin më të mirë ai do të jetë gati javën e ardhshme.
Portieri Sali, edhe pse ka nisur të bëjë vrapime në fushë, ende nuk është futur në 100% me skuadrën dhe me shumë gjasë nuk do të jetë në dispozicion as të shtunën. Formacioni i bluve për ndeshjen e nesërme me korçarët mund të jetë pak a shumë ai i derbit me Partizanin, me ndonjë ndryshim të vogël.
Toli dhe Karamba janë bashkuar me skuadrën që në fillim të javës, por stafi teknik do të vendosë, nëse ata janë gati për startues, apo do të qëndrojnë në stol.
PANORAMASPORT.AL













