Dinamo shkëlqen në shtëpi, por faza e tretë nuk e favorizon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 9, 2026 | 15:51

Dinamo shkëlqen në shtëpi, por faza e tretë nuk e favorizon

Dinamo e këtij sezoni, ka pasur oshilacione të shumta megjithatë blutë e mbyllën vitin me fitoren e një trofeu, duke mundur në finalen e Supërkupës skuadrën e Egnatias. Megjithëse ka pasur luhatje të shumta në dy fazat e para, Dinamo duket se e ka konsoliduar vendin e saj në “Final 4”, duke forcuar pozitat në katërshen më të mirë. Në 18 ndeshjet e para, kryeqytetasit kanë pasur një statistikë shumë më të mirë për ndeshjet në shtëpi, duke grumbulluar plot 18 pikë në 9 ndeshje të zhvilluara.

DINAMO

Sa i përket ndeshjeve jashtë, Dinamo ka vuajtur dhe grumbulluar 14 pikë në 9 ndeshje, duke pasur një diferencë prej 4 pikësh në krahasim me ndeshjet në shtëpi. Sa i përket totalit, Dinamo ka arritur të grumbullojë vetëm gjysmën e pikëve të mundshme në transfertë duke qenë se në total kanë qenë 27. Sa i përket kalendarit, faza e tretë është ajo që nuk e favorizon shumë skuadrën e drejtuar nga Ilir Daja. Blutë do të luajnë 9 ndeshje në këtë fazë, nga të cilat 5 i ka në transfertë ndërsa 4 janë në shtëpi.

Kështu, Dinamo duhet të ndryshojë mentalitetin e ndeshjeve në transfertë, që të konfirmohet një nga skuadrat pretendente. Në 18 ndeshjet e shkuara, blutë nuk kanë arritur të mundin asnjë skuadër të “Final 4” në ndeshjet e zhvilluara në transfertë, ndërkohë që kanë fituar vetëm një herë në shtëpi ndaj Vllaznisë që në debutimin e tyre pas Europës.

Dinamo e luan ndeshjen e parë për këtë vit ditën e nesërme, kundër Besës në kuadër të Kupës së Shqipërisë, ndërsa në kampionat, blutë do të debutojnë në transfertën e Durrësit kundër Teutës e më pas do të presin Vllazninë, në një ndeshje që pritet të ketë edhe polemika pas incidenteve të fundit.

PANORAMASPORT.AL