Dinamo mposht Korabin me tre gola në pjesën e dytë, lojtarët e stolit nderojnë Dajën
Të shtunën pasdite, në orën 15:00, Dinamo dhe Korabi u përballën në një ndeshje miqësore zhvilluar në fushën stërvitore të dinamovitëve në Arbanë. Ky test shërbeu si përgatitje për të dyja skuadrat përpara rifillimit të kampionateve respektive, teksa të dy trajnerët patën mundësinë të testonin gjendjen e grupit.

Dinamo arriti të fitonte me rezultatin 3-0, me gola të shënuar nga Jonuzi, Koma dhe Neziri, të tre futbollistë që u aktivizuan në pjesën e dytë. Ndeshja ishte një provë e vlefshme për skuadrën blu, që po përgatitet për sfidën e javës së 7-të të Superiores ndaj kampionëve në fuqi, Egnatias. Nga ana tjetër, miqësorja i shërbeu edhe Korabit si një test i rëndësishëm për të ruajtur ritmin përpara sfidës me Lushnjën në kampionat. Pjesa e parë foli për Korabin, i cili u tregua më agresiv dhe dominoi në shumë momente, duke e vënë shpesh në vështirësi prapavijën dinamovite. Megjithatë, pavarësisht rasteve në të dyja portat, fraksioni i parë u mbyll në barazim pa gola, 0-0. Në pjesën e dytë, të dy trajnerët bënë ndryshime të shumta, duke aktivizuar të gjithë lojtarët që kishin në dispozicion. Pikërisht nga këto lëvizje përfitoi Dinamo, që u tregua më e freskët dhe më efikase, duke realizuar tri herë me Jonuzin, Koman dhe Nezirin. Korabi, ndonëse pësoi në pjesën e dytë, mori vlerësime për paraqitjen dhe për intensitetin e treguar gjatë gjithë ndeshjes. Skuadra dibrane mbylli kështu javën e pauzës me një test të vlefshëm, ndërsa në javën e re e presin dy sfida të rëndësishme, të martën ndaj Veleçikut në Pezë-Helmës për turin e parë të Kupës së Shqipërisë, dhe të dielën përballë Lushnjës në kampionat, në Peshkopi.
Dinamo – Korabi 3-0
Golat: Jonuzi 66’, Koma 74’, Neziri 79’
Dinamo : Teqja, Maliqi, Dita, Teikseira, Loran, Gudiabi, Qardaku, B. Berisha, Nani, Vila, Guindo. (U aktivizuan: Sali, Neziri, Koma, Jonuzi, Kiri, Guci, Hoxha, Alij, Meksi, Ismaili, Karamba, Beqja, Qefalia, Farruku, Xhejms). Trajner: Ilir Daja
Korabi: Haka, Xhika, Uallace, Kurti, Zeqiraj, Mziu, Laho, Ndreu, H. Reçi, Marku, Morina. (U aktivizuan: Sina, Duka, Goga, E. Reçi, Halilaj, Gega, Kuka, Boçka, Tepshi, Spahiu). Trajner: Alfred Deliallisi
Gjyqtarë: D. Vrapi, Xh. Roshi, B. Hasaj (Tiranë)
ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL













