Derbi me Dinamon, Partizani për ‘hakmarrje’. Ndeshja në “Air Albania” si një finale për vendin e katërt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 7, 2026 | 8:32

Derbi me Dinamon, Partizani për ‘hakmarrje’. Ndeshja në “Air Albania” si një finale për vendin e katërt

Partizani përballet të hënën në derbin e kryeqytetit me Dinamon në stadiumin kombëtar, “Air Albania”, në kuadër të javës së 27-të së Kategorisë Superiore.DINAMO-PARTIZANINjë ndeshje shumë e rëndësishme për fatet e këtij sezoni, si për të kuqtë, ashtu edhe për blutë, duke qenë se aktualisht të dyja skuadrat janë në kuotë të barabartë pikësh, 39, teksa vendin e katërt që të siguron pjesëmarrjen në “Final Four” e mbajnë dinamovitët. Por, “Final Four” është edhe objektivi kryesor për të kuqtë në pjesën e mbetur të sezonit, sidomos tashmë që e mbyllën edhe rrugëtimin e tyre në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë, ku u eliminuan nga Elbasani.

Partizani vjen në këtë ndeshje pas katër fitoreve radhazi në kampionat, që kanë bërë që të kuqtë të kapin blutë në klasifikim, e mbi të gjitha të kuqtë kanë shfaqur një formë fizike për t’u admiruar. Dinamo e trajnerit Ilir Daja u rikthye te suksesi në kampionat vetëm javën e kaluar ndaj Vorës, teksa kishin shtatë ndeshje pa fitore, duke lënë pikë të çmuara për klasifikimin dhe duke komplikuar rrugëtimin në kampionat. Dinamo e nisi sezonin me objektivin për t’u shpallur kampione, por hapat fals të kohëve të fundit e kanë larguar nga ky objektiv dhe kështu pjesëmarrja në “Final Four” është një detyrim, e ndikimi i formës i jep ndeshjes me Partizanin një tjetër peshë.

Megjithatë, fitorja me Vorën dhe kualifikimi në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë pasi kaluan Tiranën, ka rikthyer buzëqeshjen te blutë, që do të kërkojnë të përfitojnë nga momenti pozitiv. Sakaq, në “Air Albania” pritet që edhe pjesëmarrja e tifozëve të jetë e lartë, teksa Partizani në shtëpinë e saj në “Arenën e Demave”, ka pasur një mbështetje të madhe, teksa nisur edhe nga rëndësia e ndeshjes, “Guerrils” do të jenë të shumtë në tribunë për të përkrahur skuadrën e zemrës. Megjithatë, për të kaluar Dinamon në këtë sezon nuk ka qenë e lehtë për Partizanin, madje të kuqtë nuk ia kanë dalë në asnjë prej dy ndeshjeve të mëparshme të kampionatit që t’i mundin blutë. Në të dyja rastet kanë qenë të besuarit e trajnerit Ilir Daja ata që kanë marrë rezultat triumfues, teksa në fazën e parë të kampionatit fituan 2-0 falë autogolit të Atanaskoskit dhe golit të Nezirit, ndërsa në fazën e dytë, në ndeshjen e zhvilluar në “Arenën e Demave”, Dinamo fitoi me shifrat 1-3, teksa golit të Tomës në pjesën e parë iu kundërpërgjigjën në të dytën me golat e Bregut, Guindos dhe në fund autogoli i Bytyçit. Në fakt, Dinamo është kundërshtari i vetëm që e ka mundur Partizanin në të dyja fazat e para, teksa dy humbje të kuqtë kanë edhe ndaj Vllaznisë, por jo në dy faza radhazi, pasi ndaj shkodranëve janë mposhtur në fazën e parë dhe të tretë dhe kanë regjistruar një barazim në fazën e dytë.

Megjithatë, kjo ndeshje e së hënës përballë Dinamos pritet të jetë një histori tjetër, pasi forma e Partizanit është tjetërsuar tërësisht. Pavarësisht atij eliminimi të disa ditëve më parë në Kupë ndaj Elbasanit, të kuqtë kanë treguar së fundmi një formë shumë të mirë, teksa të besuarit e trajnerit Oltijon Kërnaja kanë shfaqur edhe një futboll sulmues, duke argëtuar në fushë. Hjuman, Isgandarli, Skuka e Sidibe në repartin ofensiv kanë treguar se mund t’i bëjnë dëm çdo kundërshtari, teksa këto emra i kanë dhuruar fitore dhe pikë të arta 17- herë kampionëve të Shqipërisë.

Sidibe, lojtari që u afrua në merkaton e janarit, është bërë menjëherë pjesë e titullar bazë të Partizanit, me gola dhe asistë vendimtare. Pikërisht kjo katërshe do të jetë ajo që do të udhëheqë me shumë mundësi sulmin edhe ndaj Dinamos, ku tre pikët janë me detyrim për të kuqtë, pasi objektivi për të prekur “Final Four” nuk mund të dështojë, teksa kërkohet me patjetër kualifikimi në Kupat e Europës. Edhe presidenti i klubit, Gazment Demi, në shumë raste e ka theksuar ambicien për të prekur, pse jo, edhe grupet e Conference League, që do ta dërgonin klubin në një tjetër nivel. Kjo lidhet edhe me aspektin financiar, që padyshim është kryesor dhe shumë i rëndësishëm për të pasur vazhdimësi në rezultate dhe për të mundësuar garimin në nivelet më të larta, si dhe për të siguruar trofe të tjerë.

Kujtojmë se kjo ndeshje do t’i japë fund fazës së tretë të Kategorisë Superiore, për të nisur më pas fazën finale dhe vendimtare aty ku Partizani e Dinamos do të kenë mundësinë edhe të një përballje tjetër teksa pritshmëritë janë që dyshja të vijojë duelin deri në fund për vendin e katërt. Por, sigurisht fituesi i së hënës mund të marrë një bonus të mash jo vetëm në lidhje me pikët që ndikojnë drejtpërdrejt në klasifikim, por edhe në aspektin psikologjik, shumë i rëndësishëm për vijëmësinë e kampionatit.

EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL