Daja gjen rrugën në derbi, skuadra e Dinamos i përgjigjet me gola
Dinamo e nisi vitin 2026 në mënyrën më të keqe të mundshme, duke mos marrë fitore e për më tepër, me një thatësi të madhe para portës. Skuadra blu nuk po dinte të shënonte më gola dhe humbi shumë terren në klasifikimin e përgjithshëm. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja duket se ka ndryshuar më së fundmi dhe ndryshimet që stafi teknik ka bërë në vendosje dhe skema, ka dhënë rezultat.

Dinamo është kthyer sërish në skuadrën që di të shënojë dhe në atë skuadër cinike që nuk pëson gola. Statistikat e ndeshjeve të fundit nuk kanë qenë më të mirat sa i përket pikëve, megjithatë Dinamo është kthyer sërish në një ekip kompakt, të paktën në 6 takimet e fundit. Që nga ndeshja Tirana-Dinamo në kampionat, që u mbyll në barazim 1-1, Dinamo ka arritur të realizojë në mënyrë të vazhdueshme.
Kështu, në 6 sfidat e fundit mes kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë, Dinamo ka arritur të realizojë plot 8 gola dhe ka pësuar 4 të tjerë. Në këto 6 ndeshje të fundit, Dinamo ka pësuar vetëm një humbje ndaj Egnatias, aty ku kishte raste të shumta shënimi dhe ka barazuar 2 të tjera. 3 sfida të tjera, Dinamo i ka fituar dhe fillimisht ka qenë një fitore në derbi ndaj Tiranës në Kupë, e pasuar nga fitorja me Vorën në kampionat dhe fitorja sërish në Kupën e Shqipërisë ndaj Tiranës.
PANORAMASPORT.AL













