Berati përkulet para legjendës së Tomorit, përfundon edicioni i 11-të i kupës “Mandi Xhamo”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 28, 2026 | 16:00

Berati përkulet para legjendës së Tomorit, përfundon edicioni i 11-të i kupës “Mandi Xhamo”

Në stadiumin Tomori u zhvillua gjatë kësaj jave një nga aktivitetet sportive më domethënëse për qytetin e Beratit, edicioni i 11-të i Kupës “Mandi Xhamo”, një turne i kthyer tashmë në traditë dhe i dedikuar një prej figurave më të respektuara të futbollit beratas dhe shqiptar, Mandi Xhamo.

trofeu xhamo, berat

Ky aktivitet, i organizuar me iniciativën e familjes Xhamo, vjen si një homazh për ish-futbollistin e Tomori Berat dhe të kombëtares shqiptare në vitet ’50-’60, i cili më pas la gjurmë të pashlyeshme edhe si trajner, duke u kthyer në një nga pionierët e futbollit beratas. Mandi Xhamo ka qenë një nga emrat më të rëndësishëm të futbollit në Berat, jo vetëm si lojtar i Tomorit dhe i kombëtares, por edhe si trajner i përkushtuar, që arriti kulmin e karrierës së tij në shkollën sportive “1 Maji”, ku për më shumë se një dekadë punoi me breza të tërë futbollistësh, duke zbuluar dhe formuar dhjetëra talente që më vonë përfaqësuan me dinjitet Tomori Berat në vitet ’80, ’90 dhe më pas. Për kontributin e madh në futbollin beratas, figura e tij është vlerësuar me titullin “Qytetar Nderi” i Beratit, ndërsa kujtimi dhe vepra e tij nderohen çdo vit përmes kësaj kupe që mban emrin e tij. Në këtë aktivitet marrin pjesë jo vetëm të rinjtë e qytetit, por edhe figura të njohura të futbollit beratas, shumë prej të cilëve kanë qenë ish-lojtarë dhe nxënës të profesor Mandi Xhamos.

TROFEU NE BERAT

Edicioni i 11-të i Kupës “Mandi Xhamo” u organizua në bashkëpunim mes Bashkia Berat, Zyrës Arsimore Rajonale, Qendrës Kulturore të Fëmijëve, klubit të futbollit dhe familjes Xhamo, e cila ishte edhe sponsorja kryesore e këtij aktiviteti. Në turne morën pjesë 12 shkolla 9-vjeçare të Beratit, mes tyre edhe dy shkolla jopublike. Ndeshjet u zhvilluan me sistem eliminimi, ndërsa faza finale u luajt me sistem triangolar. Në fund, fituese e Kupës “Mandi Xhamo” u shpall shkolla “22 Tetori”, e ndjekur nga shkolla sportive “1 Maji”, ndërsa vendin e tretë e zuri shkolla “Xhemal Çekini”. Me këtë rast, familja Xhamo ndau edhe çmime financiare për ekipin fitues, golashënuesin më të mirë dhe lojtarin më të mirë të aktivitetit, duke i dhënë edhe më shumë vlerë këtij organizimi. Pas ceremonisë së ndarjes së kupës dhe medaljeve, përfaqësues të institucioneve organizatore dhe emra të njohur të futbollit beratas vlerësuan figurën e madhe të profesor Mandi Xhamos, ndërsa familja organizoi edhe një drekë festive në nder të pjesëmarrësve.

Në emër të familjes, djali i tij, trajneri i njohur Vangjush Xhamo, u shpreh për “Panorama Sport”: “Jam shumë i lumtur dhe në emër të familjes dua të falënderoj të gjithë drejtuesit e institucioneve që bashkëpunuan me familjen Xhamo për organizimin dhe respektin e treguar ndaj figurës së babait tonë. Ai nuk na bën krenar vetëm ne si familje, por mbetet një figurë emblematike për futbollin beratas. Respekti i treguar në këtë aktivitet dëshmoi më së miri se ai e meriton këtë nderim të përhershëm për gjurmët që ka lënë në futbollin e qytetit”, deklaroi ai.

PETRIT ÇILINGIRI

Edhe ish-kapiteni i Tomori Berat, Petrit Çilingiri, vlerësoi lart figurën e Mandi Xhamos: “Kisha kënaqësinë të ndiqja këtë aktivitet kushtuar trajnerit tonë të parë, njeriut që përgatiti brezin e artë të Tomorit. Ai ishte jo vetëm një futbollist dhe trajner i madh, por mbi të gjitha një edukator i jashtëzakonshëm. Profesor Mandi mbetet një figurë e papërsëritshme dhe meriton respektin maksimal të gjithë qytetit. Familja e tij meriton përgëzime për këtë kupë që organizon çdo vit në nder të tij”, u shpreh Çilingiri. Kupa “Mandi Xhamo” është kthyer tashmë në një aktivitet simbolik për Beratin, një ngjarje që jo vetëm promovon futbollin e moshave, por ruan gjallë kujtimin dhe trashëgiminë e një prej figurave më të mëdha të sportit beratas. Përmes këtij turneu, emri i Mandi Xhamo vazhdon të frymëzojë brezat e rinj, ashtu siç bëri për dekada me punën dhe pasionin e tij në shërbim të futbollit.

EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL