Bardhi, arkitekti i kthimit të Dinamos së madhe. Verë “e artë” për financat e klubit dinamovit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 19, 2025 | 20:27

Bardhi, arkitekti i kthimit të Dinamos së madhe. Verë “e artë” për financat e klubit dinamovit

Kanë kaluar pak më shumë se 4 vjet nga momenti kur mori në duar Dinamon e harruar dhe të sfilitur në futbollin inferior për një periudhë të gjatë.

BARDHI

Tani presidenti Adrian Bardhi ka shumë arsye të ndihet krenar dhe të festojë. “Nëndetësja” e tij lundron në det të hapur, me horizontin drejt grupeve të “Conference League”. Është e vetmja skuadër që përfaqëson futbollin shqiptar në arenën europiane dhe që plot meritë eliminoi një emër të madh si Hajduk Split.

NJERIU I SFIDAVE TË MËDHA – Asgjë nuk erdhi rastësisht deri këtu. Janë një sërë sfidash që presidenti Bardhi ka përballuar me këmbëngulje dhe vendosmëri. Mori një skuadër pa investime në çdo drejtim, mbi të gjitha pa shtëpi. Jo më kot ndërtimin i kompleksit sportiv të Arbanës, një investim me kosto të lartë, numri 1 i klubit blu e konsideron si trofeun e tij të parë në krye të Dinamos. Selia blu, që i shërben ekipit të parë dhe akademisë, është baza që sjell suksesin. Investimet e presidentit Bardhi kanë qenë të mëdha këto vite edhe për afrimin e lojtarëve me kualitet, të cilët kanë vlerësuar korrektësinë e tij financiare dhe kanë veshur fanellën e Dinamos.

I vetëm ka përballuar kostot e tyre të larta. Me ardhjen e trajnerit Ilir Daja, një tjetër investim shumë i rëndësishëm verën e kaluar, u afruan edhe lojtarë me potencial, mjafton të përmendim emra si Dejvi Bregu, Bruno Dita dhe Naser Aliji. Dhe rezultati nuk do të mungonte, sigurisht. Dinamo e presidentit Bardhi fitoi Kupën e Shqipërisë pas 22 vitesh dhe po mahnit në Europë, ku misioni është përmbushur tashmë, ndërsa faza e grupeve të “Conference League” do të ishte “qershia mbi tortë”. Dy lojtarë të Dinamos, Itodo Mandela dhe Baton Zabërgja, sapo u shitën jashtë vendit, çka tregon edhe vizionin e kreut dinamovit në menaxhimin e potencialit që ka në klub. Ambiciet e presidentit Ardian Bardhi janë për t’i sjellë Dinamos yllin e dytë dhe me atë që ka treguar këto vite, duke kapërcyer çdo sfidë, sado e vështirë qoftë ajo, ajo ditë nuk duket e largët.

VERA “E ARTË” E BLUVE- Dinamo po kalon një nga momentet më të lavdishme si klub sa i përket përfaqësimit në arenën europiane. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ilir Daja arriti një sukses historik javën e shkuar, ku arritën të eliminojnë Hajdukun e Splitit në turin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës. Kurrë nuk kishte ndodhur më parë që dinamovitët shkonin deri në fazën “play off” të një kompeticioni europian, ku tani do të jenë përballë polakëve të Jagiellonias. Falë kalimit në “play off”, edhe nëse eliminohet, Dinamo do të ketë të siguruar minimalisht 1 milion e 275 mijë euro, falë pjesëmarrjes në tre ture të kompeticionit.

Një shifër jashtëzakonisht e lartë për blutë të cilët padyshim do të synojnë edhe më shumë duke tentuar kalimin në grupe. Por edhe nëse nuk ia dalin, një shifër e tillë padyshim do të ndihmojë klubin që të investojë për të siguruar lojtarë të tjerë cilësorë që të zëvendësojnë emrat që u larguan gjatë verës si Mandela e Zabërgja. Dinamo gjatë kësj vere ka bërë “bingo” edhe me shitjet te Metalist 1925 në Ukrainë, 1.5 milionë euro, duke iu referuar shifrave të regjistruara nga “transfermarkt”, ku 800 mijë euro kanë përfituar nga shitja e Baton Zabërgjas, si dhe 700 mijë euro për Itodo Mandelën, ku sipas formulës 350 mijë € i përfitoi Luzit që zotëronte 50% të kartonit. Gjithsesi, këto shifra mendohen se janë më të larta, pasi Metalistit flitet se Mandela i ka kushtuar 1.1 milionë euro. Pra, duke marrë variantin më të vogël, i bie që deri në këto momente Dinamo të ketë arkëtuar rreth 2.8 milionë euro. Nëse skuadra arrin të kalojë në fazën e grupeve, klubi do të përfitojë 3.2 milionë euro, shumë e cila mund të rritet nga bonuset që rrjedhin nga rezultatet në grupe.

PANORAMASPORT.AL