Arbëri ikën-Arbëri kthehet, dramë 48-orëshe te Tomori. Humbja në Këlcyrë nuk kapërdihet në Berat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 11, 2026 | 12:37

Arbëri ikën-Arbëri kthehet, dramë 48-orëshe te Tomori. Humbja në Këlcyrë nuk kapërdihet në Berat

Përgjatë 48 orëve të fundit, mes së dielës dhe pasdites të së martës, në skuadrën e Tomorit kanë ndodhur zhvillime të bujshme që kanë pasur në qendër dorëheqjen e papritur të trajnerit Klodian Arbëri dhe rikthimin e tij sërish në krye të skuadrës. Rikthimi i teknikut përkoi me seancën e parë stërvitore të kësaj jave.

tomori

Sipas investigimit të kryer nga Panorama Sport gjatë këtyre dy ditëve, nga burime brenda skuadrës është mësuar se gjithçka ka nisur pas ndeshjes së fundit që Tomori zhvilloi në transfertë ndaj Këlcyrës. Menjëherë pas përfundimit të takimit ndodhi edhe episodi që tronditi skuadrën: trajneri Arbëri deklaroi para lojtarëve dorëheqjen e tij, duke u larguar me shpejtësi nga dhomat e zhveshjes dhe madje duke mos udhëtuar me ekipin në kthim drejt Beratit. Humbja me rezultatin 0-2 ishte shkaku kryesor që e shtyu teknikun e njohur të merrte këtë vendim të fortë, duke e konsideruar rezultatin të papranueshëm për emrin dhe përbërjen që ka aktualisht Tomori.

Në fakt, edhe në Berat kjo disfatë ka shkaktuar reagime të forta. Opinioni sportiv dhe specialistë të njohur të futbollit e kanë cilësuar humbjen si shumë të rëndë, duke kërkuar madje që drejtuesit e klubit të marrin përgjegjësi për situatën e krijuar. Pasditen e së martës, në seancën e parë stërvitore të javës, kishte interes të madh për të parë se çfarë do të ndodhte me stolin e Tomorit dhe cilat do të ishin lëvizjet e Bashkisë, e cila konsiderohet përgjegjëse direkte për situatën në klub. Kur skuadra doli në fushë, u konstatua edhe prania e trajnerit Klodian Arbëri, i cili së bashku me stafin e tij vijoi normalisht punën me ekipin. Pas përfundimit të stërvitjes, Panorama Sport iu drejtua trajnerit të Tomorit për të mësuar më shumë rreth dorëheqjes dhe rikthimit të tij pas vetëm 48 orësh në krye të skuadrës.

Deklarata e trajnerit

klodian arberi

“Gjithçka ndodhi në kushtet e një gjendjeje të fortë emocionale. Me të drejtë isha i pezmatuar nga humbja e pësuar në një moment kur vinim nga një ndeshje e madhe me Butrintin. Me përbërjen që kemi aktualisht, ishte e papranueshme të humbnim ndaj një kundërshtari që mban vendin e fundit në renditje. Skuadra nuk dha atë që pritej dhe pësuam gola të evitueshëm. Edhe pse patëm mundësi të barazonim, për mua dhe për vetë skuadrën as barazimi nuk do të mjaftonte, sepse kemi shumë cilësi brenda grupit. Duke mos e përtypur dot humbjen, në një moment zhgënjimi të madh bëra deklaratën para skuadrës për t’i falënderuar për bashkëpunimin dhe u largova”, u shpreh fillimisht Arbëri për “Panorama Sport”.

Sa i përket rikthimit, tekniku beratas tregoi se vendimi erdhi pas mbështetjes së drejtuesve të klubit. “Dorëheqja ime nuk u pranua nga donatori i skuadrës, i cili më tha qartë se më mirë të largohej e gjithë skuadra sesa unë. Edhe administratori i klubit, ashtu si dhe Bashkia përmes titullarit të saj, më votëbesuan për të vazhduar punën. Unë ndiej detyrimin profesional ndaj Tomorit dhe nuk mund ta lë skuadrën në këto momente. Do të vazhdoj të punoj për projektin e madh të rikthimit në sezonin e ardhshëm. Ky votëbesim është edhe një mesazh për të gjithë ata që mendonin se do të më zëvendësonin. Unë do të jem këtu për të respektuar fanellën, historinë e Tomorit dhe mbi të gjitha tifozërinë tonë”, përfundoi trajneri Klodian Arbëri.

2 pikë ka marrë Tomori gjatë gjithë sezonit aktual në ndeshjet në transfertë. Këta pikë kanë ardhur falë barazimeve ndaj Orikut dhe Eagles, duke i kthyer transferta si një makth për beratasit.

EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL