Alarmi i Tomorit, legjenda Agim Matrapazi tregon recetën e shpëtimit dhe nostalgjinë për të kaluarën: Më vunë nofkën “Pele”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 1, 2026 | 8:50

Alarmi i Tomorit, legjenda Agim Matrapazi tregon recetën e shpëtimit dhe nostalgjinë për të kaluarën: Më vunë nofkën “Pele”

Procedura për privatizimin e klubit të futbollit Tomori, ashtu si ka ndodhur edhe në vitet e mëparshme, por tani më shumë se kurrë, ka tërhequr vëmendjen e opinionit futbolldashës beratas.

matrapazi

Ky i fundit po shfaq gjithnjë e më shumë interes për të mësuar rreth këtij procesi, i cili duhet thënë se duket sikur ka mbetur në “kalendat greke”, për sa kohë nga Bashkia e Beratit nuk ka ende një njoftim zyrtar lidhur me kërkesë-ofertat e palëve të interesuara. Rikthimi i kësaj teme me kaq urgjencë nga opinioni i gjerë vendas lidhet padyshim edhe me situatën që po kalon skuadra e Tomorit, e cila prej dy sezonesh është pjesëmarrëse në kategorinë inferiore.

Një pjesëmarrje që rrezikon të vazhdojë edhe sezonin e ardhshëm, nëse gjërat nuk përmirësohen në javët e mbetura të këtij kampionati. Ish-mesfushori i njohur beratas, Agim Matrapazi, përmes prononcimit të tij për “Panorama Sport” ka dhënë komentin e tij për këtë çështje.

“Situata që po kalon Tomori e bën të domosdoshëm përshpejtimin e procedurave të privatizimit dhe Bashkia duhet të lëvizë më shpejt në këtë drejtim, pa pritur që gjendja të precipitojë edhe më shumë në kahun negativ. Unë mendoj se, nëse ka sinjale pozitive në këtë drejtim, atëherë edhe skuadra do të jetë më e motivuar në ndeshjet e mbetura të këtij kampionati për të frenuar rrëshqitjen e mundshme në renditje. Bashkia nuk duhet të presë derisa të miratohet ligji i sponsorizimit, por të jetë më aktive me kandidaturat e mundshme”, përfundon komentin e tij ish-mesfushori i mirënjohur i viteve ’70- ’80, i njohur në Berat me nofkën “Pele”.

NOSTALGJIA DHE DIREKTIVA PËR MBIEMRIN – Nostalgjia për të shkuarën nuk është vetëm e tifozërisë beratase, por edhe e vetë ish-mesfushorit dhe kapitenit të Tomorit. Duke bërë krahasimin mes dy periudhave, për gazetën ai tregon edhe disa episode interesante.

“Futbolli mes dy kohëve ka pësuar shumë ndryshime dhe ky hendek shihet më së miri te stadiumet e boshatisura dhe niveli i ulët që përcjell futbolli i sotëm, që për mua është kthyer në pazare dhe burim përfitimesh. Personalisht më vjen mirë që, ashtu si 55 vite më parë, ndihem shumë i respektuar në Berat, duke më thirrur ende jo me emrin tim, por me nofkën ‘Pele’ që ma vendosën tifozët beratas. Atëherë mbizotëronte pasioni dhe respekti për fanellën dhe qytetin.

Për shkak të cilësive që kisha, më thirrën edhe te 17 Nëntori për një ndeshje ndërkombëtare, por shorti na ra me një ekip jugosllav dhe ndeshja nuk u zhvillua për shkak të marrëdhënieve mes dy shteteve në atë periudhë. U ndjeva shumë keq që nuk e realizova dot ëndrrën time, përveç një turneu me Tomorin në Kosovë. Po për shkak të asaj kohe, në ndeshjet e kampionatit dhe Kupës që transmetoheshin live në Televizionin Shqiptar, ishte dhënë urdhër që të mos shqiptohej mbiemri im dhe komentatorët, sa herë që prekja topin, më përmendnin vetëm me emrin Agimi. Kjo vinte sepse nuk e pëlqenin mbiemrin Matrapazi, edhe pse një kolegu im, ish-yll i Skënderbeut, e kishte mbiemrin Xhambazi.

Megjithatë, ne ishim një familje e njohur autoktone beratase që shquhej si zanatçinj ndër breza dhe mbiemri im nuk më prishi aspak biografinë. Përkundrazi, në Berat dhe në çdo stadium ku luante Tomori, nga Shkodra deri në Gjirokastër, kundërshtarët, trajnerët dhe tifozët më kanë respektuar. Jam i lumtur që edhe në moshën e tretë e gëzoj këtë respekt maksimal”, përfundon Agim Matrapazi.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL