Alarm në Berat, Xhamo: Ja pse fëmijët po largohen nga futbolli
Për shkak të mungesës së theksuar të terreneve sportive, të cilat prej vitesh janë zaptuar nga ndërtimet, me ose pa leje, në Berat po mbyllen gjithnjë e më shumë hapësirat ku fëmijët mund të ushtrohen dhe të zhvillojnë pasionin për futbollin. Ky shqetësim ka bashkuar specialistë të njohur dhe mësues të edukimit fizik në shkollat 9-vjeçare të qytetit, të cilët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga pushteti vendor dhe institucionet përgjegjëse.

Ata theksojnë nevojën për më shumë investime në ndërtimin e fushave sportive, por edhe për rikthimin e klasave sportive të futbollit, një traditë e dikurshme që shërbente si “fidanishte” për talentet e reja. Specialisti i njohur, Vangjush Xhamo, aktualisht pjesë e stafit të edukimit fizik në shkollën e futbollit “1 Maji”, ka ngritur zërin e tij përmes “Panorama Sport”, duke kërkuar ndërgjegjësim të gjerë për këtë problem.
“Dikur Berati kishte një shkollë futbolli me trajnerë të mirënjohur si Njazi Shehu, Mandi Xhamo, Guxim Mukli dhe Dhimitraq Pushi. Ata mbajtën gjallë futbollin beratas, duke furnizuar Tomorin me talente që luanin rregullisht në ekipet kombëtare dhe lanë gjurmë edhe në Europë. Sot, situata është në krizë. Fëmijët po i qëndrojnë larg sportit më popullor, sepse mungojnë terrenet dhe futbolli nuk zhvillohet në kushtet e duhura, por vetëm në fusha të vogla sintetike.
Akademitë private duhen vlerësuar, por nuk janë zgjidhje për të gjithë, pasi shumë familje nuk kanë mundësi të përballojnë kostot mujore. Rikthimi i shkollave sportive është më i domosdoshëm se kurrë. Për këtë kërkohet një paketë ligjore nga qeveria, por fatkeqësisht mungojnë iniciativat konkrete. Klasat sportive janë shumë produktive, pasi fëmijët edukohen në shkollë dhe njëkohësisht zhvillohen si sportistë, duke lehtësuar edhe barrën ekonomike të familjeve. Sot investohen qindra milionë lekë në vit dhe përfiton kryesisht vetëm ekipi i të rriturve. Nëse nuk ka rezultate, këto investime shkojnë dëm.
Ato fonde duhet të orientohen drejt ndërtimit të një sistemi të qëndrueshëm, duke nisur nga shkollat sportive dhe ekipet e moshave, pasi aktualisht familjet paguajnë shumë dhe numri i fëmijëve që merren me futboll po bie ndjeshëm”, u shpreh Xhamo. Thirrja e specialistëve është e qartë: pa investime në bazë dhe pa rikthimin e traditës së shkollave sportive, e ardhmja e futbollit në Berat rrezikon seriozisht.
EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL













