19-vjeçari nigerian, ngushëllimi i vetëm për beratasit. Rahman “shpëton” Tomorin, suksesin ia dedikon trajnerit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 7, 2026 | 13:54

19-vjeçari nigerian, ngushëllimi i vetëm për beratasit. Rahman “shpëton” Tomorin, suksesin ia dedikon trajnerit

Përtej zhgënjimeve të shumta që ka prodhuar Tomori gjatë këtij sezoni, në Berat kanë gjetur një ngushëllim të vetëm, golat e sulmuesit nigerian, 19-vjeçarit Abdulsalam Rahman. Shtatlarti i afruar në merkaton e janarit, erdhi pas disa paraqitjeve në ndeshje miqësore me Sopotin, ku madje kishte gjetur rrugën e rrjetës edhe ndaj Tomorit.

rahman abdulsalam tomori

Pikërisht këto paraqitje, edhe pse si zëvendësues, tërhoqën vëmendjen e trajnerit Klodian Arbëri, i cili pa te Rahman cilësi të spikatura sulmuese. Koha i dha të drejtë teknikut beratas. Rahman rezultoi një përforcim i goditur, duke e justifikuar plotësisht besimin në fushën e lojës. Me potencialin e tij, ai është kthyer në një pikë referimi në repartin ofensiv të Tomorit, çka konfirmohet edhe nga 7 golat e realizuar në një kohë të shkurtër. Megjithatë, forma e tij individuale bie në kontrast të fortë me ecurinë zhgënjyese të skuadrës beratase, që nuk ka arritur të shfrytëzojë këtë kontribut në rezultate pozitive. Në ndeshjen e fundit ndaj Devollit, 19-vjeçari realizoi një dopietë, duke konfirmuar momentin e tij të mirë. Me paraqitjet e tij ka fituar zemrat e tifozëve beratas. Vetë Rahman e ndan suksesin e tij me dy faktorë kryesorë, besimin e trajnerit dhe mbështetjen e tifozëve, ndaj të cilëve ka edhe një mesazh të veçantë.

Prononcimi i 19-vjeçarit

“Ecuria ime në fazën e dytë me Tomorin ka qenë shumë pozitive dhe këtë e tregojnë 7 golat e shënuar. Ajo që i bën edhe më të veçantë është fakti se vijnë në sezonin tim të parë në futbollin shqiptar. Jam i kënaqur, edhe pse më vjen keq që skuadra ka pësuar shumë humbje, edhe në ndeshje ku kemi luajtur mirë. Tani e kuptoj që zgjedhja ime për të luajtur me Tomorin ka qenë e duhura. Klubi ka histori dhe traditë, si dhe më ka pëlqyer shumë qyteti dhe njerëzit. Në Berat kam fituar respektin e tifozëve dhe kjo është surpriza më e bukur për mua. Suksesin tim ia dedikoj trajnerit Klodian Arbëri, i cili më ka besuar që në fillim dhe më jep liri në fushën e lojës. Sa i përket të ardhmes, ende nuk kam marrë një vendim. Do të pres përfundimin e kampionatit dhe më pas do të diskutoj me drejtuesit për projektin dhe kushtet financiare”, përfundoi nigeriani për “Panorama Sport”. Ndërsa Tomori vazhdon të vuajë në rezultate, një gjë është e sigurt: Në Berat kanë gjetur një diamant, por ende nuk kanë gjetur ekipin që ta mbajë në piedestal.

EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL