Zv.trajneri i Kastriotit: Dimë si të ringrihemi, marrim pikë ndaj Laçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 22, 2021 | 11:11

Zv.trajneri i Kastriotit: Dimë si të ringrihemi, marrim pikë ndaj Laçit

Kastrioti ndodhet në një pozitë aspak komode në klasifikim dhe kjo natyrshëm sjell edhe njëfarë presioni te skuadra, e cila tashmë ndodhet gjashtë pikë nga zona e shpëtimit. Sot krutanët do të luajnë në transfertë përballë Laçit, që po kalon një moment të mirë dhe kjo e bën akoma më të vështirë këtë ndeshje.

SHKELZEN RUSTAMI

Në prag të kësaj përballjeje, për “Panorama Sport” flet numri dy i krutanëve, Shkëlzen Rustami, i cili thekson se Kastrioti nuk e meritoi humbjen në Korçë, por flet edhe për sfidën me kurbinasit dhe merkaton e janarit.

“Humbja në Korçë ishte e pamerituar, pavarësisht si shkoi loja. Kështu që, nuk e meritonim të dilnim pa pikë nga ai takim. Ne në atë ndeshje i dhuruam golat, gjë e përsëritur. Duhet ta kuptojmë se nuk mundemi më të pësojmë gola kaq të thjeshtë. Ne si staf kemi nxjerrë mësimet tona dhe shpresojmë që gjithçka të ndryshojë për mirë.

Përpara kemi një ndeshje të vështirë dhe shkojmë në Laç për të dhënë më të mirën për të dhënë maksimumin, pavarësisht se skuadra e kurbinase renditet në vendet e para të klasifikimit.

Ne kemi treguar se jemi dinjitoz me çdo skuadër, ndaj ne do shkojmë të tregojmë veten, që minimalja të mos dalim pa pikë nga Laçi. Shpresojmë që ta mbyllim me pikë këtë pjesë të parë të kampionatit”, deklaroi fillimisht Rustami. Më pas zv.trajneri që sot pritet të drejtojë ekipin pas dënimit të trajnerit Ndreu shtoi:

“E vetmja gjë që aktualisht neve na shqetëson është numri i lojtarëve. Ne jemi skuadër që përgatitemi mirë nga ana psikologjike dhe absolutisht kemi treguar se dimë ta marrim veten.

Ne kemi pësuar edhe 6 gola, por jemi ringritur sërish dhe kemi qenë në gjendje të mirë në fushë në ndeshjen pasardhëse. Kjo është diçka që nuk na mungon, ajo që na mungon për momentin janë lojtarët dhe shpresojmë shumë që në merkaton e janarit të arrijmë të përforcohemi në të gjitha repartet, pasi e kemi shumë të nevojshme”.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"