Zhbllokohet Mikel Canka, tani radhën e ka Apolonia. Kapiteni i Lushnjës kërkon me çdo kusht të ruhet vendi i dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2020 | 21:50

Zhbllokohet Mikel Canka, tani radhën e ka Apolonia. Kapiteni i Lushnjës kërkon me çdo kusht të ruhet vendi i dytë

Me fitoren ndaj Pogradecit, Lushnja ka marrë vendin e dytë. Sulmuesi kryesor i kësaj skuadre, Mikel Canka, shënoi një dygolësh në fitoren e fundit. Kapiteni i lushnjarëve nuk shënonte që nga 14 dhjetori i vitit të kaluar, duhet të kalonin 7 muaj e gjysmë që ai të kthehej te goli. Në fakt, dyshja Canka-Mezini ishte protagoniste absolute e ndeshjes ndaj Pogradecit dhe me golat e tyre ata e rikthyen Lushnjën në vend të dytë.Canka

CANKA – Kapiteni Mikel Canka për “Panorama Sport” shprehet: “Mendoj se ishte një lojë energjike, sidomos në pjesën e parë. Është shumë pozitive të bësh një ndeshje të tillë në këto temperatura. Futbollistët duhen përgëzuar për këtë, sepse është shumë e vështirë të luhet futboll në 35 gradë. Nuk i kemi kushtet që të kemi një stadium me ndriçim për të luajtur në orare kur fillon dhe freskohet pak.

Ndeshja me Pogradecin ishte e bukur dhe dua të falënderoj shumë tifozët, të cilët na mbështetën nga jashtë rrethimit të stadiumit. U gëzohemi tri pikëve, që ishin alternativa jonë e vetme. Jam shumë i gëzuar që u riktheva te goli dhe kisha një dedikim për mikun tim Endri, i cili u bë baba. Golat janë për Joenin e sapolindur”, tha fillimisht Canka.apolonia-lushnja

VENDI I DYTË – Këtë fundjavë fillojnë ndeshjet e kthimit të fazës së tretë të kampionatit, ku Lushnja synon të ruajë me çdo kusht vendin e dytë. Verdhejeshilët janë 5 pikë pas Apolonisë dhe 2 pikë para Pogradecit. “Një garë kaq të gjatë nuk e kishim menduar kurrë, jemi në një periudhë ku gjithmonë kemi qenë pushim, ndërsa tani luajmë kulmin e kampionatit.

Luajmë ndeshje me karakter përcaktues për sezonin, siç është kjo e radhës me Apoloninë. Përsëri për Lushnjën tri pikët janë vendimtare, sepse duhet të ruajmë vendin e dytë, por edhe t’i afrohemi Apolonisë. Kryesorja është që derbi vjen në një moment shumë pozitiv për ne. Skuadra ka dy fitore radhazi dhe atmosfera është optimiste”, u shpreh kapiteni i lushnjarëve.

Këtë edicion Lushnja është treguar shumë e fortë në shtëpi, duke fituar 30 pikë nga 41 pikë që ka në total. Lushnjarët kanë fituar 10 takime në fushën e tyre dhe kanë humbur vetëm 1. Derbi me Apoloninë do të jetë i fundit në “Roza Haxhiu”, për këtë edicion.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"