Zëvendës trajneri i Vllaznisë: U kthyem, vitin e mbyllim me 27 pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 10, 2019 | 19:16

Zëvendës trajneri i Vllaznisë: U kthyem, vitin e mbyllim me 27 pikë

Ideal Lekiqi e quan fitoren në Gjirokastër si pikën e kthesës së madhe. Zv.trajneri i Vllaznisë mendon se ekipi mund të kishte disa pikë më tepër në renditje, megjithatë për “Panorama Sport” thekson se mbyllja e 2019-ës do t’i gjejë shumë më mirë. 

ideal lekiqi

“Duke parë shkallën e vështirësisë që kishte ndeshja me Luftëtarin, këto pikë kanë shumë vlerë. E vetmja alternativë ishte fitorja. Ia dolëm, megjithëse me shumë mund. Besoj se ishin pikë më shumë se të domosdoshme për vazhdimësinë, duke pasur parasysh kalendarin jo të lehtë që kemi përpara. Mund të kishim ndoshta disa pikë më tepër prej 4 javëve të mëparshme.

Por, duhet theksuar se po bëhet një punë e madhe këtë edicion. Mentaliteti fitues që po mundohet trajneri të injektojë, na ka ndihmuar. Kemi qenë të barabartë me të tjerët, këtë e tregon më së miri edhe ngjeshja në renditje. Tani është koha për vazhdimësi, ndaj u kërkoj tifozëve që të na mbështesin pa kushte. Unë i garantoj ata se të gjithë pa përjashtim po japim kontribut për ta parë këtë skuadër në vendin që i takon. Skënderbeu? Nuk do të jetë e lehtë. Kemi filluar prej të hënës punën për këtë javë.

vllaznia tifozet

Do të udhëtojmë drejt Korçës për një lojë dinjitoze dhe për të marrë pikët maksimale. Trajneri ua bëri me dije të gjithë futbollistëve rëndësinë e këtij 90-minutëshi. Jonuz kërkon 26- 27 pikë deri në fund të 2019- ës? Po të kemi parasysh deklaratat që ka bërë trajneri gjatë gjithë kësaj periudhe pune, ato kanë qenë gjithmonë objektive dhe të matura. Pa dyshim që këto pikë nuk janë objektiv i paarritshëm, sepse ndeshjet e mbetura deri në përfundim të dy fazave na lejojnë që t’i pretendojmë. Trajneri dhe të gjithë ne si staf e dimë fort mirë se këto pikë janë plotësisht të arritshme”, u shpreh fillimisht trajneri.

Më tej ai u ndal te vuajtja që ka hasur skuadra në finazilim dhe pritshmërinë në mbyllje të këtij sezoni. “Jo vetëm ne, por të gjitha ekipet po vuajnë në finalizim. Ka shterpësi në këtë aspekt. Kjo vjen si rrjedhojë e mungesës së një sulmuesi të mirëfilltë. Në merkato do të operohet në bazë të objektivave që do të kemi pas mbarimit të dy fazave të para. Nuk mund të them diçka konkrete. Nëse ne arrijmë të marrim pikët tona, do të jemi në ‘në luftë’ për të realizuar çdo objektiv të mundshëm”, përfundoi numri dy i stolit të Vllaznisë.

Admir Uruçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"