Zekiç ngre tonet! Mbrojtësit me detyra të veçanta, trajneri i Partizanit “fiksohet” me shënjestrën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2023 | 12:20

Zekiç ngre tonet! Mbrojtësit me detyra të veçanta, trajneri i Partizanit “fiksohet” me shënjestrën

Rreth orës 17:45 të pasdites u duk për herë të dytë autobusi i të kuqve pranë stadiumit të qytetit të Pogradecit për të zhvilluar seancën e dytë stërvitore, pasi e para qe zhvilluar në 9:00 në mëngjes. Pas një fundjave me më së shumti përqendrim tek argëtimi, trajneri Zekiç nuk ka dashur t’i sforcojë shumë lojtarët.

PARTIZANI STERVITJE

SEANCA – Ai fillimisht e ndau skuadrën në dy grupe, mbrojtësit veç dhe sulmuesit veç. Mbrojtësit po zhvillonin një lojë mes tyre ku mundoheshin të mbronin sa më shumë portën në mënyrë që mos të pësonin gol, sipas një vendosjeje rigoroze. Renaldo Kalari merrej vetëm me ta. Ndërsa mesfushorët dhe sulmuesit për rreth 30 minuta nën urdhrat e Zekiçit u morën me goditjet drejt kuadratit dhe krosimet, që duheshin kthyer në gol. Gjatë gjithë kohës Zekiç u pa të merret vetëm me pjesën e mesfushorëve dhe sulmuesve dhe ishte tepër i fokusuar te goditjet dhe krosimet.

SHËNJESTRA – Zekiç nuk kënaqet me goditjet e para dhe bashkon ekipin në një të vetëm. Ai zhvilloi një lojë, ku aksionet niseshin nga krahu dhe pesë ose gjashtë sulmues kundër dy mbrojtësve tentonin të shënonin. Ky ushtrim ja bënte goxha të vështirë punën mbrojtësve të qendrës, por edhe i stimulonte ata për të lëvizur sa më shumë. Duhet theksuar se gjatë seancës sërish protagonistë me gola spektakolarë u bënë sërish Kote dhe Keko, njësoj si disa ditë më parë.

ZEKIÇ NGRE TONET – Në një moment kur Maget bën një pasim të gabuar Zekiç ngre tonet jo vetëm kundër lojtarit, por edhe kundrejt ekipit për atë që po bënin në atë ushtrim. Ai kërkoi me ngul më shumë përqendrim dhe në nerva e sipër shtyn me dorë edhe një nga piketat e gjata. Në këtë moment ndërhyn Kalari, i cili me qetësi i thotë skuadrës: “O çuna tregoni më shumë përqendrim, më shumë!” Kalari në fund të seancës urdhëron djemtë e rinj të pastrojnë fushën duke mbledhur piketat dhe topat.

STËRVITJE SHTESË – Edhe pse Zekiç i ra bilbilit për mbylljen e seancës, në fushë qëndronte ende Sota me Hodon në një krah ku luanin me njëri-tjetrin me topa të gjatë, e ndërkohë disa prej të rinjve në anën tjetër bënin po të njëjtat ushtrime. Seancat e sotme nuk i kishte lodhur së tepërmi lojtarët mbase për shkak se Zekiç nuk mendoi të zhvillonte një seancë fizike, ku tekniku ndoshta ka frikë nga ndonjë dëmtim i mundshëm përpara ndeshjes me BATE-n. Në këtë fazë përgatitore vihet re prania e shumtë e të rinjve, që po stërviten me skuadrën. Hodo, Zuna, Kote, Zekolli e Çelaj mundohen të bien në syrin e trajnerit.

REDI DANDALLAKU – PANORAMASPORT.AL