Ze Maria merr “hak” për Ilirinë, 60 minuta përgatitje fizike bardhebluve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2017 | 10:19

Ze Maria merr “hak” për Ilirinë, 60 minuta përgatitje fizike bardhebluve

Tirana kërkonte që të niste me dominim kampionatin në Kategorinë e Parë, por, krahas tri pikëve, asgjë e ngjashme nuk ndodhi. Vështirësi në finalizim dhe lojë aspak e ngjashme me atë që u zhvillua në Superkupë ndaj Kukësit, kanë bërë që trajneri i bardhebluve të ngrejë tonet në stërvitje dhe të kërkojë që të bindë lojtarët se tashmë ka përfunduar periudha e miqësoreve. Paraqitje që u duk si “blof”. Pa humbur kohë, trajneri brazilian ka shkundur të tijtë që në stërvitjen e djeshme.

tirana

NGARKESA

Ndryshe nga herët e tjera, seanca e pasdites është afruar në orën 16:00, me lojtarët që duhet të ishin të paktën 30 minuta më herët në qendrën stërvitore “Skënder Halili”. Një bisedë dhe analizë e shkurtër ka paraprirë seancën e djeshme. Ze Maria dhe stafi teknik kishin përgatitur një program stërvitor me ngarkesa maksimale fizike.

Afro 60 minuta me seanca vrapimesh të alternuara kanë bërë që trajneri të “marrë hak” te lojtarët për “përgjumjen” e tyre në fushë në ndeshjen hapëse të kampionatit. Në disa momente, ka qenë Çelhaka që është dukur disi jashtë ritmit të shokëve të skuadrës, megjithatë e justifikuar për vetë seancën e parë stërvitore të kësaj jave.

TONET

Në kaq kohë sa është në Shqipëri, trajneri Ze Maria nuk ka ndryshuar në të paktën një aspekt të punës së tij: rreptësia dhe ashpërsia me lojtarët. Edhe dje, në momentin kur futbollistët nisnin që të ekzekutonin ushtrimet e ndryshme në kuadrat, çdo gabim i vogël në pasim shoqërohej me tërheqje vëmendjeje nga trajneri dhe ngitje të zërit nga ky i fundit.

Për brazilianin është metodikë pune që të ndërgjegjësojë lojtarët e tij që të vlerësojnë çdo pasim të mundshëm dhe çdo aksion që zhvillohet gjatë një seance stërvitore. Jo pak herë, ai ndalej për të këshilluar dhe shpjeguar me detaje rëndësinë për secilin ushtrim që urdhëronte se duhej bërë me seriozitet maksimal nga futbollistët. Nga dje, bardheblutë kanë nisur përgatitjet për sfidën e radhës kundër Pogradecit në transfertë, e cila mund të zhvillohet ditën e diel.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"