Zbulohet shpërblimi për titullin te Tirana, short ferri për bardheblutë. Ja kur e mësojnë kundërshtarin në Champions

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 8, 2020 | 11:30

Zbulohet shpërblimi për titullin te Tirana, short ferri për bardheblutë. Ja kur e mësojnë kundërshtarin në Champions

Edhe 15% më shumë shpërblim për disa lojtarë të Tiranës. Të gjithë ata që kanë pasur fatin të kenë në kontratë bonusin e titullit, po fërkojnë duart. Në shumicën e kontratave dhe atë që ka premtuar presidenti Refik Halili, të gjithë do të shpërblehen nga 15 deri në 30 për qind të kontratës, sepse pas 11 vitesh sollën titullin në këtë kampionat.

Tirana goli

Minimalja është që skuadra në masë të marrë të paktën 15 për qind më shumë para, por ka disa lojtarë që marrin edhe një të tretën e kontratës. Presidenti Refik Halili ua ka bërë të qartë se nëse e arrinin objektivin titull, do të marrin atë që u takon. Më e titulluara në Shqipëri, skuadra e Tiranës feston sivjet 100-vjetorin e themelimit dhe njëkohësisht duke hyrë në vitin jubilar.

I themeluar në datën 15 gusht të vitit 1920, klubi bardheblu ka ndryshuar disa herë emrin gjatë historisë, megjithatë sukseset kanë qenë të shumta për ta. Në vitet e fundit, Tirana e ka humbur jo pak shkëlqimin e saj, duke rënë edhe nga kategoria, e madje rrezikoi shumë edhe sezonin e shkuar. Drejtuesit e klubit bardheblu po punojnë që në 100-vjetor të rikthehen te trofetë, por duke premtuar edhe shumë para…

Hamiti Tirana festa e golit

SHORTI – Tirana është duke llogaritur me laps në dorë se kë do të ketë kundërshtar në Europë, i cili do përcaktohet ditën e diel. Mësohet se Europa i ka ndarë skuadrat në tri zona: Veri, Qendër dhe Jug i Europës. Pikërisht në zonën e Jugut ndodhet Tirana dhe kundërshtari i bardhebluve do të dalë nga një prej vendeve të kësaj zone. Gjithsesi, kundërshtarët nuk janë aq të thjeshtë. Madje mund të themi short ferri. Për faktin se Tirana gjendet në vazon e jofavoriteve, përballë si kundërshtarë të mundshëm do të ketë skuadra prestigjioze, prandaj shorti nuk mund të jetë shumë shpresëdhënës për kryeqytetasit.

Mjaft të përmendësh Sëlltikun, Karabakun, Legian e Varshavës apo kampionen e Rumanisë Kluzhin, atëherë mëson së vërtet përballë mund të jenë ekipe të mëdha dhe të vështira për t’u kaluar. Mirëpo, duke qenë se bëhet fjalë që raundet kualifikuese, me përjashtim të “play off”-it për Ligën e Kampioneve, do të luhen me ndeshje teke.

Tirana do të tentojë shanset e saj, duke shpresuar edhe që përballë mund të ketë Sherif Tiraspol, Suduva, Dundalk apo edhe Sarajevo. Dy të mundshme si rivale janë edhe ekipet e Crvena Zvezdës apo Omonias, në rast se Napoli dhe Lioni triumfojnë në fazën e radhës në Champions. Pasi në rast të kundërt, nëse këdo dy ekipe (Lioni dhe Napoli) humbin në fazën e 1/16-ave, atëherë Omonia dhe Crvena Zvezda kalojnë në turin e dytë kualifikues.

OLSI AVDIAJ

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"