Zbardhet skenari i trukimit, plan djallëzor për Superioren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2016 | 20:37

Zbardhet skenari i trukimit, plan djallëzor për Superioren

Përveç festës në dy qytete, Peshkopi dhe Gjirokastër, ku ekipet e tyre siguruan ngjitjen në Superiore, java e fundit e Kategorisë së Parë ka regjistruar edhe disa trukime të ndeshjeve me tolerime të hapura të ekipeve ndaj njëra-tjetrës.

Skenarë të paimagjinueshëm dhe gola me telekomandë. Gjithçka e llogaritur deri në detaj në një garë ku humbi plotësisht sensi i lojës së futbollit.

13043644_10209471797380742_740982119128335903_nAdministratori i Sopotit, Iridion Bahiti, zbardh të gjitha prapaskenat se çfarë ka ndodhur në dy takimet e grupit B, Turbina-Pogradeci dhe Luftëtari-Apolonia.

Sipas tij, sfida e parë ishte e trukuar plotësisht, në një kohë që ishte përgatitur një skenar për të fundosur gjirokastritët nëse nuk arrinin të fitonin ndaj Apolonisë.

Skenarët

“Turbina-Pogradeci (8-3) ishte ndeshje e trukuar me një skenar të parapërgatitur. Për cërrikasit dhe pogradecarët kishin rëndësi rezultatet e dy ndeshjeve, Sopoti- Dinamo dhe Luftëtari-Apolonia.

Nëse fitonin gjirokastritët, pogradecarët dorëzoheshin nga pretendimet dhe i hapnin rrugën ekipit të Cërrikut të fitonin takimin me rezultatin mbi 7 gola në favor të tyre.

Por, nëse në Gjirokastër mbaronte ndeshja në barazim ose me fitoren e fierakëve, marrëveshja ishte e tillë që cërrikasit të fusnin në fushë një lojtar të pafederuar dhe, në këtë mënyrë, humbisnin takimin në tavolinë 3-0 dhe pogradecarët shpalleshin kampionë të grupit dhe siguronin Superioren.

Nga ana tjetër,  Pogradeci do t’u siguronte me të gjitha mënyrat kalimin e ‘play-out’-it cërrikasve në mënyrë që të qëndronin në Kategorinë e Parë. Për këtë, dëshmitë dhe skenari flet vetë. Turbina-Pogradeci në pjesën e parë ishte 4-0 dhe me fillimin e së dytës shkoi në 6-0.

Jo pa qëllim, i gjithë ky inskenim pasi cërrikasit ishin me sytë nga takimi Dinamo- Sopoti, ku i druheshin një barazimi të mundshëm të të dy ekipeve, gjë që do ta çonte ekipin e Turbinës në ‘play-out’ nëse nuk fitonin me një golavarazh të thellë mbi 7 gola”, e nis rrëfimin e tij Bahiti.

Më tej, ai vazhdon me gjithçka ndodhi me skenarin gjatë kohës që po luheshin të tre takimet. “Gjërat u komplikuan shumë për cërrikasit ku takimi tjetër Luftëtari-Apolonia deri në minutën e 80-të ishte në barazim 1-1.

Kështu që kur mësuan se takimi Dinamo-Sopoti ishte në përfundim me rezultatin 3-1, lejuan pogradecarët të shënojnë 3 gola në minutat e fundit për të shuar dyshimet dhe prisnin me ankth përfundimin e ndeshjes tjetër, Luftëtari- Apolonia.

Një tjetër fakt është se takimi Turbina-Pogradeci ka nisur me vonesë si në pjesën e parë dhe aq më keq në pjesën e dytë në një hark kohor prej 10 minutash nga takimet e tjera të grupit B.

Kjo fakton cenimin e garës ‘fair play’ dhe arsyeja ishte thjesht që të priteshin përfundimet e takimeve të grupit B dhe, më pas, të përcaktohej skenari i parapërgatitur nga cërrikasit dhe pogradecarët. Tani ngelen për t’u parë relacionet e vëzhguesit dhe të delegatit të ndeshjes që do dorëzojnë në FSHF. Mbetet për t’u parë se a ka lojtarë të pafederuar nga ana e Turbinës në protokollin zyrtar, në mos është bërë tjetër protokoll në përfundim të takimit.

Nga e gjithë kjo çështje, kërkojmë përjashtimin nga kampionati të Pogradecit dhe Turbinës për prishjen e garës sportive”, shprehet Bahiti në prononcimin e tij. Një skenar i denjë për filmat hollivudianë dhe ku tashmë i takon FSHF-së që të zbardhë të gjithë këtë ngjarje ku akuzat janë shumë të rënda.

Akuzat

Administratori i Sopotit ka kontestime ndaj gjykimit për ndeshjen Dinamo-Sopoti (3-1), pas së cilës librazhdasit do të luajnë në “playout”. “Për sa i përket takimit Dinamo-Sopoti, mund të them se ishte një serial telenovele e përsëritur, ku nuk të lejonin të luaje futboll.

Nuk mund të akordohej penallti për Sopotin edhe në rastin më flagrant. Nuk mund të jepeshin faulle në favorin tonë brenda zonës së kundërshtarit, pasi ata do të fitonin me çdo kusht se kështu ishte urdhri.

Për një gjë më vjen keq, se kur mësuam që ndeshjen do ta gjykonte një arbitër i FIFA-s si Lorenc Jemini, besuam se do mund të luanim në mënyrë ‘fair-play’. Por, u gabuam dhe shprehim keqardhje për këtë arbitër që tregoi inferioritet dhe joprofesionalizëm në gjykimin e kësaj sfide në dëm të ekipit librazhdas.

Pamjet filmike të ndeshjes flasin vetë. Me bindje e them që roli i vëzhguesit dhe delegatit të takimit është fiktiv për arsye se në shumicën e rasteve bëhen palë me arbitrat duke lejuar përcaktimin e rezultateve të ndeshjeve.

I bëj thirrje presidentit të FSHF-së, Armand Duka, të reflektojë në kohë dhe të mos lejojë që figurën e tij ta konsumojnë dashakeqësit e futbollit të pastër që ka në varësi”, përfundon prononcimin e tij për gazetën administratori Bahiti.

BESAR BOZGO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"