Zbardhet mbledhja te Skënderbeu, Daja apel lojtarëve: Secili të dijë detyrat e veta, mundeni Kukësin për… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2019 | 20:20

Zbardhet mbledhja te Skënderbeu, Daja apel lojtarëve: Secili të dijë detyrat e veta, mundeni Kukësin për… (E PLOTË)

S kënderbeu-Kukësi, takimi më i fortë i kësaj jave, është më shumë se një ndeshje. Korçarët janë në vendet e para të renditjes me 12 pikë, por veriorët, edhe duke qenë në vendin e shtatë të klasifikimit, janë vetëm dy pikë larg. Diferenca nuk jep siguri, qoftë për njërën ashtu edhe për skuadrën tjetër.

kukesi skenderbeu

Një fitore e Skënderbeut e çon në pesë diferencën me ekipin e Kukësit, por nëse ndodh e kundërta, janë verilindorët e Duros ata që kalojnë një pikë sipër skuadrës së Dajës. Ndaj, edhe për këtë fakt, ky takim është më shumë se një ndeshje e zakonshme. Kryepankina korçare, me përjashtim të Muzakës, do t’i ketë në dispozicion të gjithë të tjerët. Për këtë arsye numri një i pankinës korçare, duke parë edhe rëndësinë e këtij takimi si dhe shkallën e vështirësisë, ka vendosur që të mbajë një analizë motivuese për të tijtë.

Muzaka

Me thuajse të gjithë grupin e lojtarëve në dispozicion, kryepankina korçare u ka bërë me dije futbollistëve të vet se të tilla takime janë më shumë ndeshje prestigji dhe për këtë secili duhet të tregojë se sa i aftë është. Janë ndeshje ku vetë motivimi është maksimal, por duhet të ruhen balancat mes lojës dhe të kaluarit në aventurë. Me këtë e ka nisur Daja takimin e djeshëm me futbollistët e vet.

daja

 

“Tani kemi hyrë në një pikë kulmore të javës ku po përgatisim ndeshjen ndaj Kukësit. Ndeshje, e cila do të duhet të na shërbejë për të treguar vërtet se e meritojmë të jemi pjesë e këtij ekipi. Të mos harrojmë që kemi përballë një kundërshtar shumë të fortë, që do të vijë këtu për t’u ringritur, ndërsa, ashtu si ata, edhe ne kemi nevojë për të marrë maksimumin. E them këtë, për t’ju bërë me dije se të tilla ndeshje janë vitrinë për çdo lojtar dhe veçanërisht për ju që jeni me perspektivë.

Prandaj, kërkoj që të jepni më të mirën tuaj dhe të jeni të përqendruar në maksimum për këtë takim. Duhet që gjithsecili të dijë mirë se çfarë detyrash ka dhe mbi të gjitha kritikat e shumta t’i kthejmë në forcë. Këtë e them për pjesën e tranzicionit negativ, që duhet ta bëjmë më shpejt dhe në mënyrën e duhur.

Gabimet në një ndeshje të tillë nuk falen, prandaj kërkoj përsosmëri”, theksoi Ilir Daja. Më tej, numri një i pankinës korçare ka dashur të përdorë edhe dëmtimin e kapitenit Muzaka për të motivuar të tijtë në prag të kësaj ndeshjeje. Daja i kujtoi ekipit se kapiteni do t’i mungojë për shumë gjatë, teksa në mungesë të tij të gjithë duhet të japin më shumë. “Siç e dini, kemi një mungesë të madhe të kapitenit, i cili do të duhet të qëndrojë jashtë për një kohë relativisht të gjatë. Flasim për lojtarin me më shumë eksperiencë në këtë ekip.

Në kushtet kur Muzaka mungon, të gjithë duhet të japim më shumë për të mbyllur hapësirën që ai ka lënë në ekip, jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj si kapiten. Le të bëjmë mirë dhe t’ia dedikojmë atij këtë takim, në këtë moment jo të lehtë që po kalon. Do të ishte dhurata më e mirë e jona për kapitenin”, mbylli Daja.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"