VOLEJBOLL/ Bardheblutë, dinjitozë në Kupat e Europës. “Challenge Cup”, Tirana humb të parën me Grizzlys

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2023 | 16:32

VOLEJBOLL/ Bardheblutë, dinjitozë në Kupat e Europës. “Challenge Cup”, Tirana humb të parën me Grizzlys

Tirana e volejbollit të meshkujve nuk dalë më rezultat pozitiv nga debutimi sezonal në Kupat e Europës, ndonëse ka bërë paraqitje dinjitoze në takimin e parë ndaj Helios Grizzlys Giesen. Bardheblutë u mundën dje nga gjermanët me rezultatin 1-3, sfidë e zhvilluar në sallën e Farkës, e vlefshme për turin e dytë të “Challenge Cup”.

TIRANA

Skuadra e Arben Sakos kishte përballë një kundërshtar të fortë dhe favorit absolut në këtë përballje, por gjithsesi u përpoq të rivalizonte, duke marrë madje edhe një set.

NDESHJA – Miqtë e nisin më mirë, teksa duken më të organizuar, duke realizuar 5 pikët e para të takimit. Tirana provon të reagojë, por Grizzlys e kontrollon lojën, duke fituar bindshëm 16-25 në fraksionin e parë. Por, nëse u krijua ideja se do të ishte një shëtitje për skuadrën gjermane, Tirana rikthehet fuqishëm në setin e dytë. Të mbështetur edhe nga publiku, me rreth 500 spektatorë të pranishëm, bardheblutë e përmirësojnë ndjeshëm lojën, ndërsa për herë të parë në këtë takim e shikojnë vetën në epërsi, duke kaluar në 15-14, për ta ruajtur avantazhin, duke triumfuar 25-23 në setin e dytë.

Në setin e tretë Tirana arrin fillimisht të rezistojë deri në shifrat 13-13, por më pas kualiteti i gjermanëve bën diferencën, set që mbyllet 20- 25 për Helios Grizzlys, që kalon në epërsi 1-2. Në setin e katërt gjermanët dominojnë, duke fituar thellë 16- 25, për të vulosur suksesin 1-3 në një takim që zgjati 100 minuta. Për sa u përket statistikave, gjermanët regjistruan 11 blloqe fituese, ndaj 7 të Tiranës, ndërsa realizuan 8 pikë me “ace” kundrejt 4 të bardhebluve.

Me 19 pikë, Michel Ahyi, ishte shënuesi më i mirë i takimit, ndjekur nga Ledion Martiro i Tiranës me 15. Ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 28 nëntor në orën 19:00 në Giesen. Kujtojmë se në turin e parë, Tirana u kualifikua në tavolinë ndaj izraelitëve të Makabi Tel Aviv, me këta të fundit që vendosën të tërhiqeshin për shkak të luftës në vendin e tyre.

FORMAC

0

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"