VOLEJ/ Shqipëria me dy fytyra, kuqezinjtë mbyllin sfidën e dyfishtë me Bosnjën për eleminatoret e Europianit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 8, 2022 | 10:37

VOLEJ/ Shqipëria me dy fytyra, kuqezinjtë mbyllin sfidën e dyfishtë me Bosnjën për eleminatoret e Europianit

Shqipëria e volejbollit të meshkujve vijon me sfi dat në Grupin G, të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian. Të besuarit e trajnerit Jani Melka kanë mbyllur në fundjavë përballjen e dyfishtë me Bosnjë-Hercegovinën, takime të cilat janë luajtur në sallën “Feti Borova” në Tiranë me dakordësinë e të dyja palëve. Një Shqipëria me dy fytyra e karakterizuar edhe nga dëmtime të rëndësishme, si mungesat e Qafarenës dhe Deliut, arriti që të merrte një fitore të bukur me përmbysje në takimin e së shtunës, për të ngecur më pas në sfidën e djeshme.

shqiperia volej

TAKIMI I PARË – Përballja e parë që shikonte BosnjëHercegovinën si pritëse, rezultoi me rivalitet shumë të lartë, duke zgjatur plot 117 minuta. Shqipëria mori një sukses me përmbysje me rezultatin 2-3 (25-19, 25-11, 22-25, 21- 25, 13-15). Boshnjakët e filluan më mirë, duke marrë epërsi të dyfishtë në sete, madje në fraksionin e dytë Kombëtarja jonë realizoi vetëm 11 pikë.

Kur dukej se do të kishim një fitore të thjeshtë të Bosnjës, duke parë avantazhin, por edhe mungesat e tanëve, me kapitenin Qafarena dhe Deliun të dëmtuar, kuqezinjtë tregojnë karakter dhe arrijnë që të reagojnë më së miri, duke përmbysur gjithçka. Spikati loja në sulm e Osman Qepës, i cili ishte shënuesi më i mirë i Kombëtares sonë, me 18 pikë të realizuara.

1 (1)

TAKIMI I DYTË – Vetëm 24 orë më vonë, gjatë mbrëmjes së djeshme, skuadrat zbritën në parket për përballjen e dytë. Këtë herë ishin boshnjakët ata që u treguan më të saktë, teksa triumfuan me rezultatin 1-3 (18-25, 18- 25, 25-21, 15-25) në një ndeshje që zgjati 99 minuta.

Dy setet e para ishin fotokopje e njëritjetrit, me Shqipërinë që u pa në vështirësi dhe nën ritëm. Kuqezinjtë provuan të reagonin në setin e tretë, duke e rihapur takimin.

U krijua ideja se do të kishim një tjetër skenar si ai i së shtunës, por Bosnjë-Hercegovina i mbylli llogaritë në setin e katërt, duke dalë me 3 pikë nga kjo sfidë.

2 (1)

Në ndeshjen tjetër të Grupit G, Zvicra shtangu Rumaninë duke fituar 3-2, për të marrë edhe vendin e parë.

TRAJNERI – Pas humbjes së djeshme, trajneri Jani Melka në prononcimin e tij për “RTSH Sport”, ndër të tjera deklaroi: “Fillimisht dua të uroj ekipin kundërshtar, pasi luajti më mirë se ne. Për ta ishte shansi i fundit kjo ndeshje dhe arritën të merrnin një fitore të merituar. Kjo ndeshje ishte pa shumë elementë taktikë, të cilën në mënyrë popullore do ta quaja ‘partizançe’. Ishte një takim i vështirë në të gjitha aspektet, ashtu sikurse e kisha parashikuar. Me gjithë kthesën që bëmë nuk e mbyllëm mirë setin e katërt. Mendova se do ta mbanim edhe këtë herë ngarkesën, por këmbët ndikuan edhe në anën psikologjike, duke mos ia dalë në fund”, u shpreh Melka.

Më 10 gusht, Shqipëria do të luajë takimin e radhës, këtë herë në transfertë kundër Zvicrës.

kalendari (1)

renditja (3)

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"