Vllaznia, Tafili kundër administratorit Lici. Mesfushori shkodran: Nuk ka asnjë marrëveshje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2018 | 20:38

Vllaznia, Tafili kundër administratorit Lici. Mesfushori shkodran: Nuk ka asnjë marrëveshje

Titullarët e Vllaznisë vetëm pesë ditë para startit të kampionatit ende nuk kanë dhënë verdiktin përfundimtar për sa i përket të ardhmes së tyre me kuqeblutë. Administratori i klubit, Suad Lici, në një prononcim të tijin për gazetën “Panorama Sport” dy ditë më parë, theksoi faktin se titullarët e sezonit të shkuar kanë pranuar uljen e pagave dhe do të jenë sërish pjesë e planeve të Vllaznisë për sezonin e ri. Por, kjo duket se nuk ka gjetur dakordësinë e titullarëve të ekipit.

Tafili

Nga sa mësohet, lojtarë të tillë si kapiteni Gilman Lika, portieri Erind Selimaj, mesfushorët Alsid Tafili e Florind Bardulla, mbrojtësit Olsi Gocaj e Antonio Marku, ende nuk kanë dhënë definitivisht fjalën e tyre për të qenë pjesë e klubit. Pas deklaratave të Licit, është mesfushori Arsid Tafili që edhe në emër të shokëve ka theksuar faktin se ende nuk është mbyllur asgjë për sa i përket pranimit të kushteve të vëna nga klubi. Sipas tij, ende drejtuesit e klubit nuk janë ulur në bisedime me ta, pavarësisht se sezoni i ri do të startojë të shtunën. “Nuk kemi ende një dakordësi përfundimtare. Presim që të ulemi dhe të diskutojmë për vazhdimësinë. Kemi lënë gjithçka të hapur, por do të ulemi në tryezë për të thënë fjalën e fundit. Nuk na mungon dëshira që të kontribuojmë për këtë ekip për ta rikthyer në Superiore, por më parë duhet që të gjejmë akordin përfundimtar. Besoj se do të arrijmë një gjë të tillë, por për momentin nuk ka asnjë akord përfundimtar”, është shprehur zv/kapiteni i Vllaznisë, Tafili.

AFRIMET

Vllaznia në këtë sezon deri tani ka bërë 6 afrime dhe një rikonfirmim. Në momentet e fundit të merkatos për lojtarët e huaj kanë firmosur rumuni Dan Igant për repartin e mbrojtjes dhe dyshja e sulmit, Silvio Rodriges Pereria Junior nga Brazili dhe nigeriani Eziamaka Kollins Ikenia. Po ashtu tekniku Lika së bashku me stafin kanë dhënë pëlqimin edhe për mbrojtësin vlonjat Valdo Zeqja, për mesfushorin Devi Bilali dhe për sulmuesin Silvio Zogaj. Që të tre këta lojtarë u provuan për disa ditë pranë ekipit dhe më në fund u ra dakord që të veshin fanellën e Vllaznisë. Por, me sa duket, këta lojtarë gjetën gjuhën e përbashkët me drejtuesit e klubit. Ndërsa, përveç këtyre shtatë afrimeve që flitet se nuk do të jenë të vetmet, drejtuesit e klubit kanë rikthyer për qendrën e mbrojtjes edhe lezhjanin Renato Malota. Ai është rikonfirmuar dhe do të veshë fanellën kuqeblu edhe në kampionatin e ardhshëm. Përflitet se këto afrime nuk do të jenë të fundit, por deri tani ende nuk ka asgjë konkrete. Synimi i Vllaznisë këtë sezon do të jetë rikthimi në Superiore, ndërsa lufta në Grupin A parashikohet të jetë e fortë dhe e vështirë.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"