Vllaznia u përgjigjet zërave për ryshfet te Akademia: Janë shpifje të turpshme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2017 | 12:00

Vllaznia u përgjigjet zërave për ryshfet te Akademia: Janë shpifje të turpshme

Klubi i Vllaznisë ka reaguar menjëherë me një deklaratë për mediat, pas lajmeve të dala për korrupsion në radhët e ekipit të 19- vjeçarëve, me synimin e federimit të lojtarëve të veçantë në ekipin që do të luajë në Champions League.

Vllaznia U19

REAGIMI I PLOTË

Në lidhje me disa shkrime të sotme (dje) në rrjetet sociale apo dhe në portale të ndryshme, të cilat në mënyrë të pakuptimtë flasin për një “Skandal tek Akademia Vllaznia”, jemi të detyruar të reagojmë për të mbrojtur veten dhe imazhin e klubit tonë. Më poshtë, bashkangjitur është lista e ekipit që është federuar zyrtarisht në Federatën Shqiptare të Futbollit për sezonin 2017-2018.

Prej kësaj liste, do të dalë edhe lista e ekipit që do të marrë pjesë në ndeshjet e Champions Youth League. Atyre do t’u shtohen edhe tre futbollistë të ditëlindjes 1998, që e lejon rregullorja e UEFA-s, për të luajtur në këto ndeshje dhe bëhet fjalë për futbollistët Denis Miloti, Belajdi Pusi dhe Endi Brahimi.

Mjafton të shohim emrat e kësaj liste për të kuptuar se shpifjet e bëra janë shumë të rëndomta. Në këtë listë futbollistësh, 9 prej tyre kanë qenë pjesë e ekipit edhe sezonin e kaluar kur ai është shpallur kampion i Shqipërisë, 15 futbollistë kanë luajtur sezonin e kaluar me ekipin U-17 të Akademisë Vllaznia dhe vetëm një futbollist, Emrah Fikaj, ka ardhur sivjet në radhët e tij nga ekipi “Rozafa”.

lista u19 vllaznia federimit 2017-18

Plot 24 futbollistë, siç e shikoni, kanë qenë pjesë e Akademisë sonë prej disa sezonesh dhe nuk mund të bëhet fjalë për shpifje të turpshme që kanë qarkulluar si opsion për regjistrimin tek Akademia Vllaznia. KF Vllaznia u bën thirrje publike të gjithë atyre që nëpërkëmbin dhe shpifin në adresë të tij se kjo është hera e fundit që do ta kalojmë me një reagim të tillë, sepse në rastin më të parë që do të shfaqet një rast i tillë, do t’u drejtohemi organeve kompetente për nisjen e një çështjeje penale.

A.Uruçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"