Vllaznia fiton bindshëm ndaj Kastriotit, shkëlqejnë lojtarët e ardhur në provë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 10, 2017 | 10:08

Vllaznia fiton bindshëm ndaj Kastriotit, shkëlqejnë lojtarët e ardhur në provë

Vllaznia ka fituar thellësisht 4-0 miqësoren me Kastriotin, me nga dy gola të shënuar për çdo pjesë loje. Trajneri Armando Cungu ka aktivizuar në pjesën e parë Selimajn, i cili ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit, ndërsa në mbrojtje është rreshtuar Gurishta e Marku nga krahët, ndërsa Pjeshka dhe boshnjaku Amer Dupovac në qendër.

Vllaznia-Kastrioti

Në mesin e fushës janë aktivizuar Krymi, Tafili, Hasani, Çinari dhe Kalaja, ndërsa i vetëm në sulm ganezi Çarls Atsina. Në këtë pjesë është aktivizuar edhe mesfushori shkodran Gilman Lika.

Takimi është dominuar nga kuqeblutë, në një kohë që Kastrioti i trajnerit Samuel Nikaj kishte disa mungesa. Që në minutën e 9-të ka qenë lojtari i ardhur në provë, Dupovac, që pas një topi në zonë ka goditur me të djathtën dhe ka shënuar. Pas vetëm 7 minutash nga ky gol, vjen dyfishimi i shifrave nga lojtari tjetër i ardhur në provë, Atsina.

Vllaznia Kastrioti 4-0

Ky i fundit, pas një asisti të Markut, ka lëvizur bukur brenda zonës dhe me një goditje të saktë ka përshëndetur rrjetën. Gjatë kësaj pjese nuk kanë munguar edhe mundësitë e tjera për shënim për kuqeblutë. Ndërsa në 45 minutat e dyta të dy trajnerët kanë bërë disa lëvizje në formacion.

Fillimisht është aktivizuar edhe i ardhuri për provë Kaçorri, i cili që në momentet e para ka goditur bukur me kokë, por mbi traversë. Në fushë janë futur edhe Sherri, Kruja, Vecaj, Miloti, Rajçeviç, Brahimi, Isufi e Pusi. Ka qenë pikërisht Vecaj që me një gjuajtje nga afro 25 metra ka shënuar një eurogol.

Vllaznia

Loja e mirë e të rinjve të aktivizuar është shpërblyer më pas edhe me golin e katërt, ku protagonist ka qenë Arsid Kruja. Krutanët u munduan të bënin diçka, por mungesa e lojtarëve me eksperiencë si Boci, Çela, Lila etj., ndikoi jo pak në lojën e të besuarve të shkodranit Samuel Nika, i cili këtë sezon synon që të ngjisë Kastriotin në Kategorinë Superiore.

TRAJNERI

Pas përfundimit të takimit ka folur trajneri Armando Cungu, i cili ka mbetur i kënaqur me paraqitjen e grupit, por që këtë përballje nuk e quan si një test të së vërtetës për ekipin e tij.

cungu

“Ky takim nuk është një tregues për vlerat e vërteta. Por, dua të them se jam i kënaqur me atë që dhanë lojtarët në fushë. Kemi ende për të bërë”, deklaroi trajneri shkodran që tashmë pret nga klubi përforcime të tjera në merkato. Gjasat janë që të firmosë sulmuesi ganez, Çarls Atsina.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"