Vjen një francez për sulmin, Duro: Merkato e hapur! Vëmendja te lushnjarët, jo më kot janë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2022 | 15:28

Vjen një francez për sulmin, Duro: Merkato e hapur! Vëmendja te lushnjarët, jo më kot janë…

Një francez për sulmin e Lushnjës. Corentin Johansen është vënë në urdhrat e Klodian Duros prej ditës së djeshme.

lUSHNJA

Lojtari në fjalë luan në të majtë të ofensivës, por fare mirë përshtatet djathtas dhe në qendër. Është 29 vjeç dhe vjen nga një eksperiencë në kampionatin grek, konkretisht nga PAS Preveza.

Më herët ka qenë pjesë edhe e ekipeve AO Levante po në kampionatin helen, si edhe në Francë me Aix dhe Thonon Evian. Gjasat janë që të vëzhgohet fillimisht nga trajneri dhe nëse bind, mund të flitet për kontratë.

DURO – Trajneri është i kënaqur me përkushtimin e futbollistëve në javën e parë të përgatitjeve. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, Klodian Duro ndalet edhe te merkatoja, ndërsa paralajmëron se do të grumbullohen në Ohër ose Ulqin.

“Vijojmë me stërvitjen dhe strukturimin e ekipit. Kemi afro 36 lojtarë sot (dje) në fushë dhe 30 janë me origjinë nga Lushnja.

Kemi bërë një punë shumë të mirë në seancat stërvitore dhe të gjithë janë të përkushtuar, gjë që do të na ndihmojë të krijojmë dita-ditës grupin që kërkojmë të kemi. Merkatoja mbetet e hapur, ndërkohë që na janë bashkuar shumë futbollistë të cilët i janë nënshtruar provës.

Kështu do të vazhdojmë deri në fund të javës tjetër.

Pas dy javësh përgatitjesh në kushte shtëpie, do zhvendosemi për fazë. Ende jemi në dilemë për vendin ku do të shkojmë për ta zhvilluar.

Por shumë shpejt do ta përcaktojmë. Mendojmë Ohrin ose Ulqinin.

Kjo do të na ndihmojë për të qenë sa më të plotë dhe sa më të gatshëm për fillimin e sezonit të ri”, u shpreh tekniku, që i mëshon faktit se të rinjtë do ta kenë derën të hapur.

“E para ishte që të shikonim të gjithë lushnjarët. Këtu janë edhe të gjithë pjesëtarët e ekipit të të rinjve. Jo më kot e thashë që kemi mbi 33-36 futbollistë në stërvitje.

Me të gjithë stafin e trajnerëve të akademisë, si Hasalla, Gazheli, Hysko, jemi duke punuar si një grup i vetëm, që në fund të fundit të përzgjedhim të gjithë ata që do të jenë pjesë e organikës sonë.

Të rinjtë do të jenë prioriteti im dhe do t’i kenë dyert të hapura në ekipin e parë. Gjatë këtyre ditëve e kemi bërë këtë bashkëpunim dhe do ta vazhdojmë ta bëjmë me trajnerët e akademisë.

Kjo është rruga e vetme që futbollistët e rinj të jenë baza e Lushnjës së nesërme. Paralel me këtë po shikojmë futbollistë të tjerë, edhe të huaj, për t’ia bashkëngjitur ekipit në ato pozicione që na duhen”, përfundoi Duro.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"