VIDEO+FOTO/ Elezi jep leksione nga Maqedonia, shikoni se çfarë bën talenti i Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 7, 2020 | 0:02

VIDEO+FOTO/ Elezi jep leksione nga Maqedonia, shikoni se çfarë bën talenti i Skënderbeut

Kapiteni i Maqedonisë së Veriut U-19 dhe njëherazi “xhevahiri” i Skënderbeut, Agon Elezi, me një iniciativë mjaft origjinale, bashkë edhe me lojtarë të tjerë të kësaj grupmoshe, sot vizitoi dhe shpërndau ushqime e produkte të tjera të nevojshme për katër familje në nevojë në qytetin e Shkupit.

Elezi

Një akt madhor ky i lojtarit më të talentuar të mesfushës korçare, që ka menduar me moshatarët e tij, të japë një kontribut financiar për familjet në nevojë. “Me iniciativën tonë si lojtarë vendosëm që të mbledhim një shumë të konsiderueshme të ardhurash për njerëzit që janë në nevojë në këto ditë të vështira. Donim të ndihmonim ata me ushqimet e përditshme.

Elezi3logo

Kemi vizituar familje që janë në gjendje të mjerueshme dhe që kjo situatë ua ka shtuar akoma më shumë vështirësitë. Në momentin qe ua kemi ofruar ndihmën tonë, gëzimi në fytyrat e tyre ishte i papërshkrueshëm. Kjo na mbushi me shumë krenari edhe ne.

Elezi i Skenderbeutlogo

Duke u nisur nga kjo situatë, përmes gazetës ‘Panorama Sport’, dua të bëj apel për të gjithë ata që kanë mundësi të ndihmojnë, me aq sa munden. Sepse një ndihmë sado e vogël, mund të bëjë gjëra të mëdha, pasi ka shumë njerëz që kanë nevojë për të tilla gjëra. Zoti na ndihmoftë në këtë situatë të vështirë për të gjithë”, ka thënë fillimisht Elezi në bisedën për “Panoramasport.al”.

 

STËRVITJA INDIVIDUALE

I pyetur se si po i kalon këto kohë ngujimi dhe a bën ndopak stërvitje individuale, Elezi u shpreh: “Të them të drejtën nuk e kisha menduar se do të më mungonte kaq shumë futbolli. Është një situatë e vështirë dhe fakti që qëndrojmë në shtëpi, jam munduar të mbush kohën me gjëra që kanë lidhje me sportin. Këto ditë i kam parë të gjitha ndeshjet që nga fillimi i kampionatit e deri te loja e fundit me Kukësin.

Agon Elezi

Më mungon ekipi, shokët dhe atmosfera e grupit, por gjithashtu qyteti i Korçës dhe tifozçt, sidomos në atë kohë të mirë që po kalonim. Është për të ardhur keq që ndodhi e gjithë kjo, por sigurisht që shëndeti është në radhë të parë dhe duhet të kujdesemi. Stërvitem pothuajse çdo ditë dhe mundohem që të jem sa më i gatshëm për rifillimin e kampionatit, që mezi po e pres…”.

Kujtojmë që ky sezon ishte debutues për Elezin në Superiore, duke fituar besimin e trajnerit Daja, i cili nuk ka ngurruar të bëjë publikisht elozhe për 19-vjeçarin.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"