VIDEO/ Ujka largon Laçin nga fundi, një gol mjafton për të thyer Kastriotin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2022 | 23:57

VIDEO/ Ujka largon Laçin nga fundi, një gol mjafton për të thyer Kastriotin

Laçi ka marrë tre pikë shumë të rëndësishme sot ndaj Kastriotit, duke lënë vendin e fundit të klasifikim që mbante prej disa javësh. Skuadra e Vukiçeviç ka mposhtur Kastriotin duke komplikuar disi situatën e krutanëve të cilët në fushën e tyre kishin qenë gjithmonë shumë kërcënues në këtë sezon.

bandicam 2022-10-22 15-03-30-076

Gjithçka është zgjidhur me një gol të shpejtë të Ujkës e më pas kurbinasit kanë administruar avantazhin, duke përfituar nga ndërprerjet e vazhdueshme të lojës për shkak të faulleve të shumta të cilat ulën ndjeshëm ritmin e sfidës.

KASTRIOTI-LAÇI 0-1

15′ Ujka

KOMENTI LIVE:

90’+6’ Mbyllet ndeshja me fitoren 1-0 të Laçit.

90’+5’ Pas një largimi jo të mirë të Dajsinanit, Stojanoviç tenton portën nga jashtë zonës por nuk gjen katërkëndorin e boshatisur.

90’+4’ Kodra hyn në zonë në krahun e djathtë dhe përgatitet të gjuajë në katërkëndor. Por ndërhyrja e Velkovski shmang një rrezik në portë.

90’+3’ Tentativa të njëpasnjëshme të krutanëve për të shënuar golin e barazimit, me topin që harkohet disa herë në zonën kundërshtare, por me kurbinasit që largojnë rrezikun.

90′ Jepen 6 minuta shtesë.

85’ Ajazi hyn në zonën kurbinase por Dajsinani del përsëri duke kontrolluar topin në këmbët e sulmuesit, me këtë të fundit i cili shkakton faull.

82’ Babatunde merr vendin e Borisiuk në radhët e Laçit.

80’ Ajazi nga e majta hyn në zonë dhe pason në qendër por Dajsinani del mirë dhe kontrollon sferën.

81’ S. Selmani hyn në fushë në vend të Zogajt në minutat e fundit të sfidës.

79’ Adeleke i lë vendin në fushë Shkurtajt në radhët e kurbinasve.

77’ Dajsinani ndëshkohet me karton të verdhë për vonesa loje.

73’ Ka protesta tashmë për çdo ndërhyrje në fushë të njërës skuadër apo tjetrës. Është Kastrioti që ka gjithmonë iniciativën duke kërkuar barazimin teksa Laçi thumbon me kundërsulme.

68’ Tjetër faull i Karakaçit ndaj Mazrekajt me kurbinasit të cilët kërkojnë të kuq, por gjyqtari jep vetëm faull për Laçin.

67’ Karakaçi është futbollisti i radhës i cili ndëshkohet me karton të verdhë.

65’ Kastrioti përgjigjet me aktivizimin e Ajazit dhe Didës në vend të Morbek dhe Selmanit.

64’ Çuçin merr vendin e Dukës në fushën e lojës.

62’ Goditje këndi për Kastriotin që harkohet rrezikshëm nga Karakaçi, Dajsinani grushton dhe largon sferën nga zona e tij.

58’ Top i gjatë në drejtim të Grecës në zonë, Dajsinani del dhe fiton duelin në ajër.

55’ Prenkoçeviç merr vendin e Çelës në radhët e Kastriotit.

53’ Kundërsulm i shpejtë i Adeleke i cili ia del të shkëputet dhe hyn në zonë. Por ai bllokohet në momentin e gjuajtjes nga mbrojtësit e skuadrës krutane.

50′ Onanuga ndëshkohet me karton të verdhë për një ndërhyrje ndaj Manellarit.

49’ Kombinim i bukur i Mazrekajt nga e majta me Ujkën i cili hyn në zonë por shtyn më shumë se sa duhet topin dhe humb mundësinë për të gjuajtur në portë.

47’ Goditje nga këndi e Mazrekajt i cili harkon në shtyllën e parë. Ujka devijon me kokë por Sali shpëton portën e tij me një ndërhyrje vendimtare.

46’ Nis pjesa e dytë e ndeshjes pa ndryshime në radhët e dy ekipeve.

45’+2’ Mbyllet pjesa e parë e ndeshjes me avantazhin e Laçit.

45’ Jepen 2 minuta shtesë.

43’ Çuçin është i ndëshkuari i parë me karton të verdhë në një ndeshje që ka parë shumë ndërprerje për shkak të faulleve.

41’ Zogaj nga e djathta driblon në zonë e gjuan por nuk gjen katërkëndorin e portës kurbinase.

39’ Harkim nga e djathta për Çelën i cili gjuan por Dajsinani bën mrekullinë dhe ndalon goditjen e tij.

36’ Top i gjatë nga e djathta në shtyllën e dytë për Grecën i cili gjuan me kokë, por çon topin në duart e Dajsinanit.

34’ Tani janë kurbinasit të cilët protestojnë për një pozicion jashtë loje të Adeleke i cili ishte shkëputur në krahun e djathtë.

32’ Goditje dënimi ballore e Kastriotit. Stojanoviç gjuan e gjen murin mbrojtës, pastaj ai gjuan përsëri por sfera devijohet dhe ndalet në duart e Dajsinanit. Krutanët pretendojnë për prekje topi me dorë por gjyqtari është i bindur që nuk ka të tillë.

22’ Një goditje dënimi nga e majta e Karakaçit sjell rrezik në zonën e Laçit, ku Dajsinani nuk ia del të kontrollojë topin dhe sfera largohet me vështirësi nga mbrojtësit.

19’ Përpiqet të reagojë shpejt Kastrioti me disa harkime radhazi në zonën kurbinase, por pa arritur të rrezikojë Dajsinanin.

15’ GOOOL LAÇI! Kurbinasit shënojnë pas një skeme në goditje nga këndi që e provojnë gjithmonë. Këtë herë është Ujka i cili gjuan nga jashtë zonës dhe mposht Salin.

13’ Goditje spektakolare nga jashtë zonës e Mazrekajt, po aq spektakolar është Sali me devijimin në këndore.

6’ Qarkullim topi dhe përplasje në mesfushë. Kjo është tabloja e minutave të parë me skuadrat që nuk arrijnë të shfaqen thumbuese para portave kundërshtare.

1’ Nis dueli në stadiumin e Kamzës.

FORMACIONET ZYRTARE –

KASTRIOTI – Sali; Kodra, Stojanoviç, A. Selmani, Rami; Greca, Onanuga, Karakaçi; Zogaj, Morbek, Çela. Trajner: Emiljano Çela.

LAÇI – Dajsinani; Roganoviç, Velkovski, Turkaj, Ziko; Cucin, Borisjuk, Ujka, Manellari; Mazrekaj, Adeleke Akiniemi. Trajner: Dejan Vukiçeviç.

ARBITRAT E NDESHJES –

Arbitër kryesor – Klodjan Shahini (Durrës)

Asistent i parë – Astrit Mahmuti (Elbasan)

Asistent i dytë – Enea Gjoni (Elbasan)

Arbitër i katërt – Andi Koçi (Durrës)

VAR – Indrit Myrtja (Shkodër)

AVAR – Ridiger Çokaj (Lezhë)

0023

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"