VIDEO/ Mbrojtësi i Teutës rrëfen tmerrin: Dy tulla kishin rënë në krevatin tim, Çyrbja humbi pasurinë. Nuk e harroj momentin…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 30, 2019 | 14:40

VIDEO/ Mbrojtësi i Teutës rrëfen tmerrin: Dy tulla kishin rënë në krevatin tim, Çyrbja humbi pasurinë. Nuk e harroj momentin…

Shqipëria po kalon momente shumë të vështira pas atij tërmeti vrastar 6.4-ballësh që goditi Durrësin, dhe jo vetëm, në mëngjesin e 26 nëntorit. Mbrojtësi i Teutës, Aleksandër Kuro, ishte një nga të mbijetuarit në Durrës, por ajo që ka përjetuar mëngjesin e tërmetit e ka shokuar dhe traumatizuar. Gjatë një rrëfimi për portalin e njohur sportiv grek, “gazzetta.gr”, 26-vjeçari me origjinë nga Gjirokastra që luan sezonin e tij të parë te Teuta, ka rrëfyer me detaje momentet rrëqethëse të atij tërmeti që ka sjellë pasoja katastrofike. Kuro ka luajtur për disa vite në Greqi, ndërsa e nis rrëfimin e tij me tërmetin e parë, që nuk alarmoi askënd, por parapriu atë vrastarin.

kuro teuta

“Rreth orës 22:30 ra një tërmet i vogël, ishim të gjithë zgjuar, por nuk prisnim atë që do të vijonte. Unë isha në shtëpinë e një shoku të skuadrës dhe meqë kishte shkuar vonë, ai më sugjeroi të flija aty. Dhe ndërsa po flinim, rreth orës 02:30 të mëngjesit, një tërmet më i madh bie, që na mbajti zgjuar dhe në një gjendje alarmi, sikur ta dinim që do të ndodhte diçka më e keqe”, thotë fillimisht mbrojtësi i majtë.

Momentet e tmerrit “Dhe kështu, rreth orës 04:00 nisin lëkundjet. Ishte e pabesueshme, pasi për 20-30 sekonda shtëpia lëkundej dhe sendet po binin. Ishte shokuese. Në fillim isha disi gjakftohtë, pasi kam përjetuar edhe një tërmet të tillë në Athinë, por nuk ndalonte dhe kështu tentuam të dilnim jashtë. Hapëm derën dhe dolëm jashtë, ajo që pamë ishte sikur të kishte rënë bomba. Kudo pluhur dhe njerëzit vraponin dhe bërtisnin. Diku aty pashë një imazh që nuk do ta harroj kurrë, që më shokoi. Një baba mbante në krahë fëmijën e tij të gjakosur, duke bërtitur dhe kërkonte ndihmë. Kur më vjen në mendje ky moment, rrëqethem.

kuros

Shtëpia e shkatërruar

“Pas dy orësh vendosa të shkoja në shtëpinë time që të merrja disa rroba, pasaportën dhe një mjet identifikimi. Duhej të ngjitesha në katin e katërt, por nuk kishte më shtëpi. Muret ishin çarë, tavani kishte rënë dhe mbi krevatin tim gjeta dy tulla. A e kupton, çfarë mund të kishte ndodhur në atë moment që unë mund të flija aty?! Gjysmë ore më pas ra një tjetër pasgoditje 5.7 ballë dhe para syve të mi, një pallat u shemb si një kullë prej letre.

shtepia kuros teuta

Pasojat katastrofike

“Kudo katastrofë dhe rrënoja. E vetmja gjë që dëgjoje ishin zëra dhe të qara njerëzish që kërkonin të afërmit e tyre. Një panik i madh, forcat e rendit thoshin që ndoshta duhet të evakuohej zona për të mos pasur viktima të tjera. Nga skuadra na morën në telefon për të mësuar nëse ishim mirë dhe na thanë që në këtë situatë do të ishte më logjike të largoheshim dhe të bashkoheshim me familjet tona, pa e bërë fjalën dysh”, është shprehur Kuro për momentet pas tërmetit. Pas këtij tmerri të përjetuar, lojtari është larguar në Athinë, duke qëndruar pranë familjes.

Shoku i skuadrës 

Mbrojtësi i Teutës zbulon se shoku i skuadrës, Arbër Çyrbja, është një nga më të prekurit e tërmetit. “Mesfushori i skuadrës sonë, Çyrbja, pa shtëpinë e tij të shembej, të cilën kishte vetëm një muaj që e kishte blerë me kursimet që kishte bërë në jetë. Shqipëria është një vend i vogël, që në raste të tilla nuk është e përgatitur. Fusha jonë është kthyer në një vend për të pastrehët. Janë ngritur çadrat për të kaluar natën ata që kanë humbur shtëpitë e tyre, por edhe helikopterë ulen për të transportuar mjetet e ndihmës së parë”, përfundon 26-vjeçari

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"