VIDEO/ Kryebashkiaku Gjonaj, SMS FSHF-së: Më mirë Sokrat i vuajtur, se derr i kënaqur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2022 | 20:30

VIDEO/ Kryebashkiaku Gjonaj, SMS FSHF-së: Më mirë Sokrat i vuajtur, se derr i kënaqur

Tërbuni është në javën e dytë të fazës përgatitore në Pukë dhe drejtuesit po bëjnë të pamundurën që ekipi t’i ketë të gjitha kushtet.  Për të marrë ngarkesën e duhur dhe për të qenë gati për fillimin e sezonit drejtuesit kanë afruar pranë ekipit edhe përgatitësin e njohur atletik, Rauf Dimraj.

gjonaj

Kryebashkiaku i Pukës, njëkohësisht edhe presidenti i skuadrës, Gjon Gjonaj, së fundmi ka zbritur në fushë, ku ka zhvilluar një takim me ekipin dhe stafin teknik dhe u ka prezantuar edhe trajnerin e përgatitjes fizike, Dimraj, që sipas kryebashkiakut kërkesat e tij janë të mëdha e me të qeshur u pohoi se ai nuk kënaqet kurrë, por mbetet kërkues vetëm në të mirë të gjendjes së lojtarëve.

Gjonaj tha se përkundër vështirësive bashkia do të vijojë të mbështesë financiarisht Tërbunin, si domosdoshmëri për tifozërinë dhe futbolldashësit pukjanë. Kryebashkiaku i ka lënë dorë të lirë stafit drejtues dhe trajnerit Alcani, ndërsa në këmbim u kërkon rezultate gjatë kampionatit. Gjonaj ftoi futbollistët të përgatiteshin për një kampionat të fortë, teksa i paralajmëroi se duhet që vetëm me rezultate t’u bënin ballë dhe padrejtësive që mund t’i bëhen ekipit ashtu siç ka ndodhur dhe në kampionatin e kaluar.

“Nëse në sezonin e shkuar nuk do të kishim marrë rezultate pozitive, ato barazimet radhazi që shmangëm humbjet, sot mund të ishim në Kategorinë e Dytë. Nuk presim dhurata, por nuk e duroj padrejtësinë. Nuk kam kërkuar ndonjëherë lëmoshë prej federatës apo prej arbitrave. Kam kërkuar vetëm që të jenë korrekt, asgjë më shumë nuk dua prej tyre. Është e turpshme për mua në këtë nivel drejtimi, si kryetar bashkie, të shkoj nëpër dyert e federatës apo t’u shkoj prapa gjyqtarëve te shtëpia. Është turp, kjo gjë dhe nuk më shkon mua.

Është çështje karakteri dhe unë kam gjetur një rrugë tjetër, më mirë përplasje. Siç thotë një shprehje: Më mirë Sokrat i vuajtur sesa derr i kënaqur. Unë nuk mund ta pranoj të jem derr i kënaqur. Jam i drejtë në akuzën time dhe jam i bindur se kam për të fituar një ditë”, u shpreh në fund kryebashkiaku Gjonaj në takimin që pati me ekipin në fushën e stadiumit.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"