VIDEO/ 1000 euro bileta për të parë Mesin titullar, por Leo luan vetëm 25 minuta. Debutim pa shkëndija për “Pleshtin”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 30, 2021 | 9:20

VIDEO/ 1000 euro bileta për të parë Mesin titullar, por Leo luan vetëm 25 minuta. Debutim pa shkëndija për “Pleshtin”

Lionel Mesi bën debutimin e tij të shumëpritur me PSG-në, në transfertën kundër Reimsit, por në fushën e lojës ai që shkëlqeu edhe një herë tjetër për kryeqytetasit ishte Kilië Mbape.

Mesi

Pa dyshim që ndeshja e djeshme ishte pritur më shumë për të parë yllin argjentinas në aksion, për herë të parë me skuadrën e tij të re, sesa për rezultatin final, ndonëse në fund kampioni tjetër i parisienëve, i cili jepet në dalje me destinacion Realin e Madridit, vazhdon që të rrëmbejë skenat ku luan dhe, pse jo, pas dopietës së natës së mbrëmshme, e cila vulosi edhe fitoren 2-0 të PSGsë, do të bëjë që sot Florentino Perez të rrisë ofertën e tij përtej 180 milionëve dhe të bëjë goditjen madhështore të radhës, që ka ofruar merkato e kësaj vere.

1000 euro bileta – Nëse ndeshja nuk pati shumë histori, me përjashtim të një barazimi të mundshëm në minutën e 51-të të anuluar me VAR Munetsit, episod që pa gafën e bërë nga Kejlor Navas, i cili me shumë mundësi do të shënojë edhe uljen e tij në stol ndeshjen e ardhshme dhe të shikuarit për herë të parë Xhanluxhi Donarumën titullar, PSG-ja nuk e vuri asnjëherë në diskutim fitoren dhe konfirmon se për ta titulli kampion do të jetë një formalitet sivjet.

Por ndërsa ndeshja u vu në kasafortë në minutën e 64-t, pasi Mbape e kishte zhbllokuar atë çerek ore pas vërshëllimës së nisjes së takimit, momenti i shumëpritur erdhi në minutën e 66-të: Poçetino thërret në stol Nejmarin për numrin 30, Lionel Mesin, dhe i gjithë stadiumi ngrihet në këmbë.

Ndoshta të vetmet fytyra të vrenjtura që kapnin kamerat në tribunën VIP ishin ato të disa tifozëve që kishin paguar nga 1000 euro biletën për të parë në aksion nga minuta e parë trion e ëndrrave, Mesi-Nejmar-Mbape.

Por, në fund, kjo jo vetëm që nuk u bë realitet që nga minuta e parë, por as kur “Pleshti” shkeli për herë të parë fushën, pasi zëvendësoi brazilianin. Gjithsesi, nëse kjo trio do të vazhdojë ose jo të ekzistojë në Paris, do të mësohet sot ose maksimumi nesër, kur mbyllet edhe merkatoja e verës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"