VËZHGIMI/ Golat në fund, mallkimi nuk i ndahet Shqipërisë. Nga Turqia te Holanda e Franca, sa momente fatale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2019 | 22:04

VËZHGIMI/ Golat në fund, mallkimi nuk i ndahet Shqipërisë. Nga Turqia te Holanda e Franca, sa momente fatale

“Do të hamë ndonjë gol nga fundi”… E thënë në zhargon. Ky është mendimi që u vjen shqiptarëve, sa herë shohin një ndeshje të Kombëtares. Nga buron kjo frikë?

ISTANBUL, TURKEY - OCTOBER 11:  Emre Belozoglu (5) of Turkey vies with Strakosha (L) of Albania during the UEFA Euro 2020 Qualifying round Group H group match between Turkey and Albania at the Ulker Stadium in Istanbul, Turkey on October 11, 2019. (Photo by Elif Ozturk/Anadolu Agency via Getty Images)

Fillimisht nga fakti që qenia njerëzore e përgatit veten gjithmonë për më të keqen, por mbi të gjitha nga historia. Kombëtarja shqiptare ka qenë gjithnjë e “mallkuar” në minutat e fundit dhe atëherë kur vjen momenti më i bukur, shkatërron gjithçka me duart e saj. Ajo që ndodhi në Turqi në minutën e 90-të ishte thjesht një përsëritje e shumë ndeshjeve të tjera, që breza me radhë i kanë parë.

Duket si një “traditë” e pandryshueshme, e cila është shndërruar në makth dhe përndjek shqiptarët. Shembulli tipik është ai i ndeshjes Gjermani-Shqipëri (4-3), kur kuqezinjtë po barazonin në mënyrë heroike dhe pësuan në minutat e fundit golin nga Bierhof. E njëjta histori u përsërit edhe në vitin 2001, kur këtë herë ishte Miroslav Klose që i mohoi barazimin Shqipërisë dhe shënoi golin e fitores pikërisht në minutën e 88-të.

dermaku

SA SHUMË GOLA- Nga viti 2007 deri në sot, Kombëtarja shqiptare ka pësuar 26 gola në fund (në minutat 80-90). Mallkimi i minutave të fundit ka goditur kuqezinjtë në 24 ndeshje, disa prej të cilave kanë qenë shumë të rëndësishme dhe vendimtare për ecurinë kualifikuese. 18 gola kanë qenë fatalë, të cilët kanë vendosur fatin e ndeshjes duke u mohuar fitoren ose barazimin kuqezinjve, ndërsa 6 të tjerë kanë qenë gola që thjesht kanë dyfishuar apo trefishuar rezultatin. Mund të kujtojmë këtu golat e viteve të fundit kundër Portugalisë dhe Serbisë, ndeshje të vlefshme për Europianin 2016.

Në “Elbasan Arena”, kuqezinjtë e De Biazit pësuan në sekondat e fundit të të dyja ndeshjeve, po ashtu si me Francën në Europian. Pas një ndeshjeje heroike në kompeticionin më të rëndësishëm futbollistik ku merrnin pjesë kuqezinjtë, Antuan Grizman prishi ëndrrën. Holanda dhe Portugalia në “Qemal Stafa” kanë heshtur tifozët e pranishëm pikërisht në minutën e 90-të, kur Van Nisterloi dhe Bruno Alvesh dërguan topin në portën shqiptare. Madje, të premten në mbrëmje dikush mund ta ketë kujtuar këtë gol, kur gaboi portieri Hidi në dalje dhe mbrojtësi portugez nuk fali.

ARSYET- Është e lehtë të thuhet se kjo ndodh vetëm prej gabimeve individuale. Nëse do të ishte kështu, nuk do të përsëritej e njëjta histori edhe kur lojtarët janë të ndryshëm. Por minutat e fundit rezultojnë fatale nga mungesa e eksperiencës së Shqipërisë, e cila ka luajtur vetëm 3 ndeshje në Europian, por edhe nga mungesa e eksperiencës së futbollistëve (shumë pak luajnë në nivele të larta si në Champions).

Lodhja gjithashtu është një element që nuk duhet nënvlerësuar, por mbi të gjitha aspekti psikologjik dhe frika e lojtarëve. Golat e pësuar në minutat e fundit mund të shkatërrojnë punën e bërë gjatë një ndeshjeje apo një edicioni, prandaj Kombëtarja duhet të punojë shumë edhe në këtë aspekt.

1122

3221

GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"