VËZHGIMI/ Elbasani bie nga kategoria sa herë që humb në start. Në 16 vitet e fundit…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 28, 2018 | 20:33

VËZHGIMI/ Elbasani bie nga kategoria sa herë që humb në start. Në 16 vitet e fundit…

Elbasani do të hapë siparin e kampi onatit në Kategorinë e Parë me ndeshjen në transfertë përballë Orikumit, një kundërshtar që rivalizoi sezonin e kaluar në Kategorinë e Dytë, duke i rrëmbyer vendin e parë dhe koleksionuar një fitore e një barazim. Bregdetarët do të jenë një test për elbasanasit, që këtë sezon shpresojnë shumë te ngjitja në Superiore. Por, për të synuar lart, duhet ta nisësh mbarë kampionatin. Dhe, sa i përket nisjes, verdheblutë kanë me se krenohen, pasi bëjnë pjesë te skuadrat që startin e kanë pothuajse gjithnjë të mbarë, edhe pse më pas çalon shumë gjatë rrugës.

elbasani

STARTI – “Panorama Sport” ka hulumtuar për ndeshjet e para që Elbasani ka zhvilluar në kampionat gjatë 16 sezoneve të fundit dhe në pah dalin detaje interesante, që deri-diku u japin shpresë verdhebluve për të bërë një nisje sa më të mbarë. Në sfidën hapëse të këtyre viteve të fundit, verdheblutë kanë fituar shtatë herë, barazuar po aq, si edhe kanë humbur vetëm dy. Bëhet fjalë për humbjet ndaj Turbinës 0 me 1 në vitin 2016, kur ranë edhe në Kategorinë e Dytë dhe ndaj Skënderbeut 0 me 1 në 2014, kur kësaj here ranë nga Superiorja.

Pra, dy humbjet e vetme të Elbasanit në start kanë bërë që skuadra të bjerë një kategori më poshtë. Përveç këtyre dy rasteve, elbasanasit e kanë nisur me një rezultat pozitiv kampionatin, kjo e lidhur ndoshta edhe me faktin se verdheblutë i kanë luajtur ndeshjet si pritës. Mund të duket një rastësi gati e pabesueshme, por në 16 vitet e fundit, verdheblutë vetëm një herë e kanë nisur në transfertë kampionatin, pikërisht në vitin 2011, kur morën një barazim me Skraparin në Kategorinë e Parë. Në 15 rastet e tjera e kanë startuar sezonin në shtëpinë e tyre, por pas shtatë sezonesh radhazi elbasanasit kthehen ta nisin kampionatin në transfertë, teksa do të luajnë me Orikumin.

Capture

Po t’i referohemi historisë së këtyre viteve të fundit, në Elbasan shpresojnë të mos e prishin traditën e rezultateve pozitive në kampionat, por nga ana tjetër i druhen edhe faktit që në dy raste ku janë mundur, në fund të sezonit kanë rënë nga kategoria. Tani mbetet vetëm për t’u parë se çfarë do të rezervojë sfida e parë e kampionatit për verdheblutë në transfertën e Orikumit.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"