Venger: Champions-i ynë varet nga Milani. Nuk jemi favoritë, por trofeu është një objektiv

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2018 | 17:07

Venger: Champions-i ynë varet nga Milani. Nuk jemi favoritë, por trofeu është një objektiv

Arsenali pret sot në ora 21:05 Milanin në ndeshjen e kthimit për fazën e 1/8-ave në Ligën e Europës. Pas rezultatit të ndeshjes së parë, “Topçinjtë” janë me një këmbë në turin tjetër, por në Londrën lindore “kualifikim” është një fjalë e ndaluar. Vazhdimësi, është kjo fjala kyçe për Arsen Venger, i cili dje duke folur në konferencë për shtyp deklaroi: “Është thelbësore të fitosh, e sidomos kur je në një moment vështirësie. Fitoret shtojnë shanset për fitore në ndeshjen pasardhëse. Nuk është asnjëherë e lehtë ndaj do të përpiqem të hedh në fushë formacionin më të mirë që mund të na sigurojë fitoren”. Arsenali, ashtu si edhe Milani nuk janë në pozita të favorshme për të siguruar Champions-in nëpërmjet klasifikimit në kampionatet respektive.

Venger1-470x333

Fitimi i Ligës së Europës vlen për një biletë në atë të Kampioneve me Arsen Venger që tregoi edhe këndvështrimin e tij: “Të gjithë duan të luajnë gjithmonë në “Champions”. Liga e Europës është gjithashtu një kompeticion joshës. Milani, Atletiko e Madridit, Borusia e Dortmundit dhe ekipet franceze e bëjnë edhe më shumë interesante. Përpos trofeut final, shpërblimi është edhe një vend në Ligën e Kampioneve, ndaj kualifikimi është një faktor tejet i rëndësishëm për të ardhmen tonë”.

Fitorja në ndeshjen e parë i bën “Topçinjtë” favoritë jo vetëm për kalimin në fazën tjetër, por edhe për trofeun. Venger nuk pranon të tilla epitete, teksa për mediat e pranishme në konferencën e tij sqaroi: “Ne favoritë? Nuk jemi të vetmit, megjithatë kjo nuk na bën fitues në mënyrë automatike. Ndaj Milanit, si edhe ndaj çdo ekipi tjetër duhet të paraqitemi në mënyrën e duhur duke dhënë maksimumin.

Liga e Europës është më e komplikuar sesa mendohet ndaj duhet të bëjmë kujdes që nga minuta e parë e çdo takimi”. Në fund edhe një shpjegim për të ardhmen e Xhek Uilsher, të cilit i skadon kontrata në fund të sezonit dhe përflitet për një kalim te Milani. “Për mua kontrata e tij ka pak rëndësi tani. I kemi bërë një ofertë dhe presim përgjigje”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"