Vendi i tetë i papranueshëm prova e së vërtetës për Laçin është… Bylisi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2019 | 18:29

Vendi i tetë i papranueshëm prova e së vërtetës për Laçin është… Bylisi

Laçi ka harruar të fitojë. Pas barazimit 3-3 në Vlorë edhe në stadiumin “Gjirokastra” nuk shkoi më larg se shifrat 1-1. E megjithatë, pika e marrë mund të quhet e pranueshme.

laci

Dhe, sidomos për mënyrën se si shkoi loja kundër Luftëtari. Ajo penallti i shpëtoi nga humbja, ndaj kurbinasit janë më shumë se të qetë dhe nuk po i bëjnë “naze” rezultatit. Nëse deri tani janë toleruar pikët e lëna rrugës, në vazhdim duket e vështirë që të ndodhë.

Kundër Bylisit pritet kthesa e madhe dhe dashur pa dashur ky 90-minutësh mund të cilësohet prova e së vërtetës për bardhezinjtë. Përballë do të kenë një kundërshtar që, edhe pse vjen nga Kategoria e Parë, e ka nisur në perfeksion kampionatin. Laçi nuk e ka më luksin që të gabojë. Vendi i 8-të, me vetëm 6 pikë janë shumë pak për një ekip që e nisi sezonin duke pretenduar titullin.

Presioni është në maja dhe jo vetëm te lojtarët, por edhe në radhët e stafit teknik. Gjithsesi, laçianët duan që t’i marrin ndeshjet me radhë. Para përballjes shtëpiake me ballshiotët, duhet të kalojnë Elbasanin. Të mërkurën, zhvillohet akti i dytë i Kupës së Shqipërisë dhe kualifikimi në turin e dytë është kthyer në “detyrë shtëpie”. Ky kompeticion ka qenë gjithnjë një objektiv, ndaj drejtuesit nuk do ta falin. Kjo javë do të jetë më shumë se intensive në stërvitje dhe ka të ngjarë që diçka të ndryshojë edhe në rreshtim. Skuadra nuk po funksionon siç duhet ose, e thënë ndryshe, nuk është ajo e Ligës së Europës apo miqësoreve të verës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"