Vendi i katërt nuk mjafton, Artan Mërgjyshi flet pas “divorcit” me Vorën: Na ndau…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2023 | 21:35

Vendi i katërt nuk mjafton, Artan Mërgjyshi flet pas “divorcit” me Vorën: Na ndau…

Vazhdojnë çudirat në futbollin tonë. Trendin e largimeve të trajnerëve në elitë po e ndjekin edhe në Kategorinë e Parë. Nëse Luzi hoqi Bledar Devollin pas vetëm dy javësh dhe këtë fundjavë dha dorëheqjen Klodian Arbëri nga Tomori, një ditë më parë erdhi lajmi për “divorcin” e Artan Mërgjyshit nga Vora.

mergjyshi

Një vendim disi i papritur ky, kur dihet që skuadra është në vend të katërt dhe javën e fundit fitoi me përmbysje. Mundën në shifrat 2-3 Kastriotin dhe në transfertë madje. Por, kjo nuk ka mjaftuar me sa duket.

Klubi me anë të një njoftimi në faqen zyrtare shkruante: “Futboll Klub ‘Vora’ njofton ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Artan Mërgjyshi. Bashkëpunimi ndërpritet me marrëveshje të dyanshme. E falënderojmë për kontributin e dhënë gjatë periudhës që drejtoi skuadrën tonë dhe i dëshirojmë shëndet e shumë suksese në të ardhmen”. Një deklaratë që thotë shumë pak, për të mos hënë aspak, për shkaqet e këtij largimi të beftë.

Për këtë motiv, gazeta “Panorama Sport” u mundua që të mësonte më shumë.

DREJTORI – Kontaktuam fillimisht drejtorin sportiv të klubit, Bazjon Tragajn, i cili sqaroi se me trajnerin nuk kishin filozofi të njëjtë loje.

“Kështu erdhën punët. Ne nuk kemi pse ta bëjmë të madhe këtë problem, pasi jemi mirëkuptuar të dyja palët. Ne kishim filozofinë tonë e ai kishte filozofinë e tij sa i takon drejtimit të skuadrës. Me këtë rast, ne e falënderojmë Mërgjyshin për kontributin e dhënë gjatë gjithë periudhës që ai drejtoi skuadrën tonë, nga koha kur ishim në Kategorinë e Dytë e deri tani. Do të donim t’i uronim shëndet dhe suksese në të ardhmen. Skuadra deri në një periudhë të pacaktuar do të drejtohet nga zv.trajneri Endri Zjarri”, u shpreh Tragaj, duke qartësuar çështjen e stolit.

MËRGJYSHI – Edhe pse varianti i Artan Mërgjyshit ishte i ngjashëm, filozofia e lojës e ka ndarë me Vorën.

“Pas një takimi me presidentin e klubit, këndvështrimet tona ishin të ndryshme rreth ecurisë dhe mënyrës së lojës të ekipit. Kështu ne vendosëm të ndërprisnim bashkëpunimin dhe u ndamë me mirëkuptim. Puna jonë është vlerësuar nga ana e klubit. Kemi punuar në kushte optimale, por filozofitë tona ndërpriten në një pikë. Rezultatet e deritanishme janë të kënaqshme.

Kemi dalë kampionë me Vorën e tani ndodhemi në vendin e katërt. Jemi brenda objektivave. Vendosëm të shkëputemi, për t’u ribashkuar në një periudhë të dytë. Me gjithë shpirt i uroj skuadrës së Vorës realizimin e objektivave, pasi suksesi i ekipit është njëkohësisht dhe imi. Janë të gjitha mundësitë për ta realizuar këtë mision”, ka përfunduar trajneri i sapolarguar nga Vora.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"