U19/ Goleadë në derbi, Teuta s’ndalet. Shtyhet Tirana-Internacionali
Mjafton 1 gol, Qehaja udhëheq durrsakët
Teuta po ecën me hap kampioni këtë sezon. Në ndeshjen e luajtur ndaj Akademisë së Futbollit, skuadra e drejtuar nga Xhevahir Kapllani ka fituar me shifrat minimale 0-1, duke ruajtur kështu kreun e renditjes në Grupin B. Pas 7 javësh kampionat, durrsakët janë të shkëputur me pesë pikë më tepër se Skënderbeu ndjekës. Fitoren e solli goli i Endri Qehajajt në fillimin e pjesës së dytë. Ka qenë një ndeshje mjaft e bukur, pasi Akademia nuk është dorëzuar deri në fund. Në pjesën e parë vendësit ishin më kërkues, por durrsakët kërkonin që të ndëshkonin Akademinë me kundërsulme.
Gjithsesi, munguan golat në këtë fraksion, kjo edhe për meritë të mbrojtjeve respektive. Të dyja ekipet patën raste për gol, por vendimtar u bë Qehaja, që finalizoi më së miri një aksion të durrsakëve në minutën e 47-të. Pavarësisht insistimit të Akademisë për të barazuar, miqtë administruan mirë avantazhin. Javën e ardhshme Teuta pret Apoloninë kampione në fuqi në Durrës/ ABDULLA DUSHKU
Vllaznia, pa rivalë
Vllaznia ka treguar edhe një herë tjetër se do të jetë pretendente kryesore për titullin këtë sezon. Në ndeshjen e radhës ndaj Laçit, kuqeblutë e Luan Zmijanit fituan bindshëm 4-2. Që në pjesën e parë shkodranët mbyllën llogaritë, duke shënuar tri gola me Delajn, Alivodën dhe Muliun. Laçi reagoi afër fundit, por ndeshja u mbyll 4-2/ ADMIR URUÇI
Spektakël pa fitues, ndalet Partizani
Barazim i çmendur në derbin e të rinjve mes Dinamos dhe Partizanit. Ndeshja e zhvilluar në kompleksin e klubit blu në fshatin Arbanë ka prodhuar spektakël, edhe pse në fund s’ka pasur fitues. Pjesa e parë ka folur për të kuqtë e Kalarit, të cilët shënuan me Koldashin që në minutën e 3-të. Dinamo mundohet të reagojë dhe arrin të barazojmë shifrat me anë të Hoxhës. Ndeshja ndizet dhe skuadrat luajnë hapur. Protagonist bëhet sërish Koldashi, i cili rikthen avantazhin për “demat” e rinj. Pjesa e parë mbyllet me shifrat 1-2 për Partizanin. Pas pushimit blutë futen në fushë më të karikuar dhe arrijnë të bëjnë një përmbysje spektakolare. Fillimisht blutë barazojnë me anë të Kullollit, ndërsa në minutën e 67-të ndeshja shkon 3-2 për Dinamon pas golit të Ismailit. Partizani nuk dorëzohet, edhe pse pëson shok psikologjik. Kapiteni Çarçani nderon të kuqtë në minutën e 71-të, duke barazuar 3-3. Pavarësisht përpjekjeve të dy ekipeve, s’ka më gola/ ABDULLA DUSHKU
Tripletë e Shënkollit
Shënkolli bën tripletë ndaj Shkodrës në shtëpi. Ndeshja ka nisur shumë e shpejtë nga të dyja skuadrat, por pa saktësi në finalizim. Vetëm në minutën e 39-të, Marku gjuan në formë parabole dhe shënon. Dy minuta më pas është Përgjoni që dyfishon shifrat. Ndërsa në fundin e lojës mendoi Macaj për të vulosur fitoren 3- 0 pas një rrëmuje në zonë/ PRENG GJIKOLA
Dragaj nderon Shkëndijën
Dragaj bën heroin në derbin e shkollave mes Shkëndijës së Durrësit dhe asaj të Tiranës. Skuadra që përfaqëson shkollën e kryeqytetit “Loro Boriçi”, iu fal tripletës së Dragajt, i cili shkëlqeu me lojën e tij. Miqtë e dominuam lojën që nga fillimi dhe pavarësisht golit të Qypit që barazoi shifrat, ia dolën të fitonin 1-3 falë Dragajt/ ZAMIR QYPI
Apolonia bën kthesën
Apolonia bën kthesën në shtëpi duke mundur 2-0 Pogradecin. Skuadra kampione në fuqi e të rinjve ka shënuar që në minutën e 9-të me anë të Mërkurit. Pas një pjese të parë të dominuar, fierakët ia dolën të realizonin edhe në 45 minutat e dyta me Balën. Kjo ishte fitorja e dytë në shtatë javë kampionat, me fierakët që pozicionohen të pestët/ BUJAR RAMA
Triumf me përmbysje
Flamurtari e nisi mirë lojën ndaj Football Republic, teksa shënoi që në minutën e 17-të me anë të Gegajt. Megjithatë, të besuarit e Erbim Fagut bën një përmbysje spektakolare. Beta në minutën e 24-t, si dhe Teqja e Avdia afër fundit, e kthyen rezultatin në 3-1. Një minutë para golit Avdia humbi një 11-metërsh, por e korrigjo pas 30 sekondash/ ABDULLA DUSHKU
Elbasani thyen Besën
Elbasani ka marrë një fitore me zemër ndaj Besës. Serinë e golave e hapi Papallazi me një kryevepër nga goditja e dënimit, ndërsa Kasa dyfishoi shifrat. Në fundin e pjesës së parë Lila rihapi sfidën. Më pas Musta shënon nga pika e bardhë, ndërsa Muzhaqi po me penallti shënon për Besën, por nuk i jep dot një pikë ekipit kavajas/ VLADIMIR MEMA
Skënderbeu bën detyrën
Dy gola, dy kartonë të kuq dhe tri pikë. Skënderbeu i bën të gjitha ndaj Butrintit, në një ndeshje ku Venko shënoi që në minutën e 7-të. Për golin e qetësisë mendoi Xhixho në minutën e 56-të. Pas këtij momenti korçarët ia komplikuan vetes pas daljes me karton të kuq të Çuçkës dhe Ymeti për ndërhyrje të parregullta dhe protesta/ LLAZI SARO
PANORAMASPORT.AL
