“U kthyem, tani nuk ndalemi”, Ribaj: Gati ta mposhtim Elbasanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2020 | 18:15

“U kthyem, tani nuk ndalemi”, Ribaj: Gati ta mposhtim Elbasanin

Mjaftoi një fitore, që në Vlorë të kthehej qetësia. Flamurtari mundi Tomorin, por nuk ka në plan që ta lërë këtu. Këtë e thotë edhe kapiteni Andi Ribaj, i cili dha kontributin e tij në atë sukses. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi analizon 90-minutëshin me beratasit dhe mbi të gjitha të rinjtë. Ai i cilëson këta të fundit si shpresën e vlonjatëve.
ribaj
“Flamurtari ka një grup të ri lojtarësh, por të talentuar. U duhet sigurisht kohë, por të jeni të sigurt që ata shumë shpejt do të shkëlqejnë në fushë. Çdo minutë që kalon për ta është eksperiencë e shtuar. Duhet vetëm besim dhe punë. Jam shumë i kënaqur për fitoren me Tomorin. Zhvilluam një lojë të mirë e bindëse dhe treguam se edhe me këta djem të rinj të talentuar dimë që të korrim sukses. Po ashtu edhe për golin që shënova. Jam këtu në Vlorë për të bërë më të mirën time. Flamurtari është një emër i madh në kampionatin shqiptar dhe detyra dhe objektivi ynë është që të japim maksimumin dhe ta çojmë këtë skuadër atje ku e meriton. Unë them se kjo ndeshje ishte edhe një provë e mirë për lojtarët vlonjatë”, u shpreh fillimisht Ribaj.

Sulmuesi thotë se pret vazhdimësi, ndaj paralajmëron rezultat pozitiv edhe kundër Elbasanit. “Tani që u kthyem, nuk mund të ndalemi me. Është koha për vazhdimësi. Do të stërvitemi për pikët e plota. Nëse sillemi si ndaj Tomorit, do t’ia dalim edhe në javën e 6-të. E respektojmë kundërshtarin, pavarësisht vendit në renditje që ka Elbasani dhe mungesës së pikëve. Duhet të bëjmë shumë kujdes, pasi vetëm në këtë formë do ecim përpara”, përfundon Ribaj.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"